Lajme

“BE transferon 61.8 milionë euro për Kosovën, Kurti: Po i zbatojmë reformat për të përfituar maksimalisht”

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se pas ratifikimit të marrëveshjeve për Planin e Rritjes me Komisioni Evropian, ka nisur transferimi i mjeteve financiare për Kosovën.

“Ka filluar transferimi i 61.8 milionë eurove si parafinancim në kuadër të Planit të Rritjes,” ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e mjeteve tashmë është në dispozicion të buxhetit të shtetit.

“Rreth 29 milionë euro janë transferuar si kredi direkt në buxhetin e shtetit, ndërsa 33 milionë euro të tjera do të kalojnë përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), ku përfshihen edhe grante dhe kredi,” theksoi ai.

Kurti nënvizoi se Qeveria është e përkushtuar në zbatimin e reformave të kërkuara.

“Ne jemi të fokusuar në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe në shfrytëzimin e plotë të mundësive që ofron Plani i Rritjes,” u shpreh ai.

Ai shtoi se kjo është një përgjegjësi e përbashkët institucionale.

“Kjo nuk është vetëm përgjegjësi e ekzekutivit, por një agjendë e përbashkët që përfshin edhe gjyqësorin dhe Kuvendin,” deklaroi Kurti.

Në fund, kryeministri shprehu mirënjohje për mbështetjen evropiane.

“Falënderojmë Bashkimin Evropian për këtë hap dhe mbetemi të angazhuar për zbatimin e hapave të radhës,” përfundoi ai.

Të Ngjashme