Një sulm me armë zjarri, që dyshohet se lidhet me përplasjet e botës së krimit, ka përfunduar me një viktimë dhe një të plagosur rëndë në Kalabri të Italisë.
Në shënjestër të atentatit ishte Damiano Pepe, 64 vjeç, një personazh i njohur për autoritetet italiane, i cili konsiderohet nga hetuesit si figurë me ndikim në strukturat kriminale të zonës së Sibaritidës.
Sulmi ndodhi pranë mesnatës në lokalitetin Lattughelle, pjesë e komunës Cassano all’Ionio, në provincën e Cosenza-s.
Sipas mediave italiane, persona ende të paidentifikuar hapën zjarr në afërsi të banesës së 64-vjeçarit, duke goditur atë dhe bashkëshorten e tij, Silvana Sibarelli, 60 vjeçe.
Për gruan, plagët rezultuan fatale, ndërsa Pepe arriti të mbijetonte, por me dëmtime të rënda.
Ai u dërgua fillimisht në spitalin e Corigliano Rossano-s, ndërsa për shkak të gjendjes kritike u transferua në një strukturë spitalore në Cosenza, ku iu nënshtrua një operacioni të ndërlikuar.
Menjëherë pas ngjarjes, zona u rrethua nga forcat e karabinierëve, të cilët nisën mbledhjen e provave dhe verifikimin e çdo elementi që mund të çojë në identifikimin e autorëve.
Hetuesit po shqyrtojnë pistat e mundshme të sulmit, përfshirë lidhjen me aktivitetet kriminale në rajon, por deri tani nuk është konfirmuar zyrtarisht motivi i atentatit.
Ndërkohë, autorët mbeten në arrati dhe autoritetet italiane po punojnë për të zbardhur mënyrën se si u organizua dhe u ekzekutua sulmi.
