Lajme

“Kur populli proteston në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi, kë po mbron pushteti: shtetin apo vetveten?”

Dr. Gurakuç Kuçi – Profesor në Kolegjin Universum dhe bashkëpunëtorë i jashtëm në Instituutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar mbi protestat që po zhvillohen këto ditë në Shqipëri dhe Serbi, duke bërë një krahasim me përvojën e Kosovës në trajtimin e protestave dhe duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si pushtetet i paraqesin protestuesit si instrumente të ndikimit të huaj.

Kuçi thekson dallimin mes Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë në trajtimin e protestave.

Sipas tij, në Kosovë synohej mbrojtja e protestave nga infiltrimi i huaj, ndërsa Rama dhe Vuçiqi përdorin akuzat për ndërhyrje të jashtme për t’i paraqitur protestuesit si instrumente të ndikimit të huaj.

“Kur në Kosovë organizoheshin protesta, një nga shqetësimet kryesore të strukturave të sigurisë, organizatorëve dhe aktorëve të tjerë të përfshirë ishte parandalimi i infiltrimit të huaj dhe i njollosjes së protestave.

Madje, kishte përpjekje reale për infiltrimin e tyre, të cilat u parandaluan.

Në Shqipëri dhe Serbi shohim një qasje tjetër. Vuçiqi dhe Rama, përballë protestave, përdorin akuza për ndërhyrje të jashtme: herë duke përmendur Rusinë, herë Iranin e herë Perëndimin.

Dallimi është i thellë dhe sistemik: në njërin rast synohet mbrojtja e protestave nga infiltrimi, ndërsa në tjetrin, protestuesit paraqiten si instrumente të ndikimit të huaj” – tha ai.

Kuçi ngre pikëpyetje mbi arsyet që i bëjnë liderët ta shohin pakënaqësinë qytetare si kërcënim, duke përmendur ambicien politike, korrupsionin dhe interesat klienteliste.

Ai thekson se shteti nuk është pronë e qeverisë dhe se protesta kundër saj nuk përbën tradhti ndaj shtetit.

“Por këtu lind një pyetje shumë më e rëndësishme:

Çfarë e lidh kaq fort një njeri me pushtetin, saqë është i gatshëm ta trajtojë pakënaqësinë e popullit të vet si kërcënim ndaj shtetit?

A është vetëm ambicia politike? Frika nga humbja e privilegjeve? Rrjetet klienteliste? Korrupsioni? Apo lidhjet me krimin e organizuar?

Kur pushteti bëhet më i rëndësishëm se qytetari, duhet të shtrohet pyetja nëse po mbrohen institucionet demokratike apo interesat e atyre që i kontrollojnë.

Sepse shteti nuk është pronë e qeverisë dhe protesta kundër qeverisë nuk është tradhti ndaj shtetit” – përfundoi ai.

Të Ngjashme