Nëse po përpiqeni të ushqeheni më shëndetshëm dhe të përfshini më shumë perime në dietën tuaj, brokoli dhe lulelakra janë ndër zgjedhjet më të zakonshme. Të dyja i përkasin familjes së perimeve kryqëzore dhe njihen për përfitimet e tyre në shëndetin e mëlçisë, sistemin imunitar dhe uljen e rrezikut për disa lloje kanceri. Por cila është më e mirë?
Vlerat ushqyese: shumë të ngjashme
Sipas të dhënave ushqimore, 100 gramë brokoli përmbajnë rreth 39 kalori, 3 gramë proteina, 6 gramë karbohidrate dhe 2 gramë fibra. Ndërsa lulelakra për të njëjtën sasi ka 28 kalori, 2 gramë proteina, 5 gramë karbohidrate dhe po ashtu 2 gramë fibra.
Pra, për sa i përket fibrave, të dyja perimet janë pothuajse identike.
Përfitimet e brokolit
Brokoli konsiderohet një “bombë ushqyese”, pasi është i pasur me vitamina C dhe K, fibra dhe antioksidantë. Një porcion mund të plotësojë mbi 100% të nevojës ditore për këto vitamina, duke ndihmuar sistemin imunitar dhe shëndetin e kockave.
Ai përmban gjithashtu sulforafan, një përbërës që mund të ndihmojë në reduktimin e inflamacionit, përmirësimin e funksionit të trurit dhe mbrojtjen ndaj disa sëmundjeve.
Megjithatë, tek disa persona mund të shkaktojë fryrje apo gazra, sidomos nëse nuk janë mësuar me ushqime të pasura me fibra.
Përfitimet e lulelakrës
Edhe lulelakra është e pasur me fibra dhe antioksidantë, ndërsa përmban pak më pak vitaminë C se brokoli. Ajo është një burim i mirë i folatit (vitamina B9), e rëndësishme për formimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe zhvillimin e shëndetshëm gjatë shtatzënisë.
Për më tepër, përmban përbërës që mund të ndihmojnë në mbrojtjen ndaj kancerit dhe në forcimin e sistemit imunitar.
Si brokoli, edhe lulelakra mund të shkaktojë fryrje tek disa persona dhe, në sasi shumë të mëdha, mund të ndikojë në funksionin e tiroides.
Cila është më e mirë për dobësim?
Të dyja janë zgjedhje shumë të mira për humbje peshe. Janë të ulëta në kalori, të pasura me fibra dhe ndihmojnë në ndjesinë e ngopjes./ Gazetashendeti
