Viktor Buzha, kandidat për deputet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Viktor Buzhala, lidhur me diskutimet për ardhjen e gazit amerikan, ka thënë se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk e kërkon që Kosova me gazifiku thëngjillin dhe me ndërtua termocentrale të reja, por jo domosdo ardhjen e gazit nga Amerika.
“Raporti i Departamentit Amerikan i Shtetit për energji nuk thotë askund që Kosova duhet me ndërtuar një termocentral të ri me gaz amerikan. Thotë në mënyrë recidive që Kosova duhet me gazifikua qymyrin edhe me ndërtua termocentralin. Edhe ne jemi me ndërtua kapacitete të reja”, ka thënë ai.
Buzha në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ka thënë se ata kanë zgjedhur projektin e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike të financuar nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).
“Amerikanët kanë ardh këtu përmes MCC dhe kanë thënë ‘ne i kemi tri projekte dhe cilin pe doni që ta financojmë’ edhe ne e kemi zgjedhur projektin për bateritë, i cili është zgjidhje adekuate pasi na siguron fleksibilitet me energji elektrike, duke e ditur që në kemi njësi të mëdha gjeneruese të cilat kanë prodhim linear dhe nuk e mundësojnë fleksibilitetin. Kemi zgjedhur bateritë solare, çka thotë Grennell nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është çka thotë Departamenti Amerikan i Shtetit”, ka thënë ai.
E ngarkuara me punë në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, në një editorial për rrugën drejt sigurisë energjetike dhe partneritetit afatgjatë me Amerikën, ka shkruar se Kosova, nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji.
Prattipati është shprehur qartë se Kosova do të duhej t’i bashkohej projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan sepse kjo do të përbënte edhe një lidhje tjetër në partneritetin ekonomik në rritje ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës.
Më 26 korrik 2022, përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), kanë nënshkruar në Uashington Programin e ri Kompakt, i cili pritet të forcojë pavarësinë energjetike të Kosovës dhe në të njëjtën kohë t’i kursejë shtetit miliona euro në vit.
Programi Kompakt është në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh dhe përqendrohet në projekte të energjisë.
