Grupi Punues i themeluar nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka mbajtur një takim me deputetë, përfaqësues institucionalë dhe të shoqërisë civile, ku në fokus ishte shqyrtimi i Projektligjit për Akademinë e Drejtësisë.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Lulzim Beqiri dhe Rinor Gjergji, si dhe eksperti Rinor Hoxha.
Sipas njoftimit, gjatë diskutimeve u trajtuan çështje që ndërlidhen me organizimin, funksionimin dhe pavarësinë institucionale të Akademisë së Drejtësisë, përbërjen dhe kompetencat e organeve drejtuese dhe programore, si dhe forcimin e sistemit të trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm për gjyqtarët, prokurorët dhe profesionistët e tjerë të sistemit të drejtësisë.
Në hartimin dhe shqyrtimin e Projektligjit është synuar avancimi i kornizës ligjore për funksionimin e Akademisë së Drejtësisë, duke marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias, standardet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe praktikat krahasuese evropiane.
Po ashtu, në njoftim bëhet e ditur se pesë projektligjet e Pakos së Ligjeve të Reformës në Drejtësi, pjesë e së cilës është edhe Projektligji për Akademinë e Drejtësisë, pritet që së shpejti të procedohen për votim në lexim të dytë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Miratimi i tyre synon të kontribuojë në avancimin e reformës në drejtësi, përmes rritjes së llogaridhënies, efikasitetit, profesionalizmit dhe integritetit në sistemin e drejtësisë.
“Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të kontribuojë në procesin parlamentar të shqyrtimit të Projektligjit, në funksion të avancimit të reformave”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/
