Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku ka zhvilluar një takim konsultativ me prindërit e rajonit të Pejës, në kuadër të procesit të hartimit të Strategjisë së Arsimit 2035+.
Në këtë takim, Çeku ishte i shoqëruar nga kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha, me të cilin diskutoi për sfidat në arsim dhe ndryshimet që nevojiten në këtë sektor.
Gjatë bashkëbisedimit, ministri theksoi rëndësinë e përfshirjes së prindërve në hartimin e strategjisë, duke vlerësuar se përvoja e tyre e përditshme mund të ndihmojë në identifikimin e problemeve dhe përcaktimin e zgjidhjeve.
Ai bëri të ditur se konsultimet do të vazhdojnë edhe me grupe të tjera, me synimin që Strategjia e Arsimit 2035+ të jetë një dokument gjithëpërfshirës, të cilit ekspertët do t’i japin formën përfundimtare.
Para takimit me prindërit, ministri Çeku, së bashku me kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, sekretarin Ymer Ymeri dhe drejtorin e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Pejë, Naser Gega, vizituan Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “7 Marsi” në Vitomiricë.
Në këtë shkollë, krahas nxënësve shqiptarë, mësimet i ndjekin edhe nxënës nga komunitetet boshnjake, ashkali dhe egjiptiane.
Gjatë vizitës, Çeku zhvilloi një takim edhe me mësimdhënësit, ku u diskutua për nevojat, sfidat me të cilat përballen dhe zgjidhjet e mundshme për përmirësimin e kushteve në arsim.
