Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka reaguar pas raportimeve të fundit në media lidhur me pretendimet se drejtori i Spitalit të Mitrovicës, Gëzim Berisha ka kanosur dhe ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.
Përmes një njoftimi për media, SHSKUK ka bërë të ditur se Drejtoria e Përgjithshme ka autorizuar Zyrën Ligjore që t’u drejtohet zyrtarisht organeve kompetente, me qëllim të verifikimit urgjent të këtyre pretendimeve.
Institucioni i ka cilësuar raportimet si shqetësuese, duke theksuar se dhuna në çfarëdo forme është e dënueshme dhe nuk tolerohet në asnjë rrethanë.
“Për SHSKUK-në, këto raportime janë jashtëzakonisht shqetësuese. Qëndrimi ynë institucional është i prerë, dhuna në çfarëdo forme është e dënueshme dhe nuk tolerohet në asnjë rrethanë”, thuhet në reagim.
Tutje, SHSKUK ka paralajmëruar se në bazë të informacioneve zyrtare që do të pranojë nga organet kompetente, do të ndërmarrë masat më të rrepta administrative dhe ligjore ndaj drejtorit në fjalë./teve1.info/
