Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar si historik rezultatin e arritur nga shqiptarët në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke theksuar se Koalicioni Shqiptar ka siguruar 27.670 vota dhe dy mandate parlamentare.
Ai në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë të ditur se ky sukses është rezultat i bashkimit të subjekteve politike shqiptare, të cilat, pavarësisht dallimeve, kanë vendosur interesin e përbashkët mbi atë partiak.
Kurti: Koalicioni Shqiptar arriti rezultat historik më 25 tetor
“Koalicioni Shqiptar mori 27.670 vota, plot 1.233 më shumë se në vitin 2020, duke shënuar rezultatin më të lartë të shqiptarëve që nga viti 2000 dhe duke siguruar dy mandate parlamentare”, ka deklaruar Kurti.
Duke komentuar zhvillimet politike në Serbi, kryeministri Kurti theksoi se zgjedhjet e 25 tetorit sollën një rikonfigurim të skenës politike në shtetin fqinj dhe ndonëse tashmë dihet kush e ka humbur pushtetin në Serbi, ende nuk është e qartë se kush do ta marrë atë.
Kurti: Serbia ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës
“Lista Studentore doli e para, koalicioni i Aleksandar Vuçiqit humbi shumicën parlamentare, ndërsa lista e Ivica Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit… Shpresojmë që ky ndryshim politik të shoqërohet edhe me ndryshimin pozitiv të qasjes së Beogradit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, është shprehur ai.
Kurti renditi edhe kushtet që duhet të paraprijnë normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ai tha se ballafaqimi me të kaluarën, zbardhja e krimeve ndaj shqiptarëve, identifikimi i varrezave masive dhe ndriçimi i fatit të personave të pagjetur mbeten detyrime të domosdoshme.
Kurti: Pa të vërtetën për të kaluarën, s’mund të ndërtohet besimi për të ardhmen
“Ballafaqimi me të kaluarën, denazifikimi i diskursit politik, dekriminalizimi institucional dhe demokratizimi i brendshëm duhet të krijojnë kushtet për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët… Pa të vërtetën për të kaluarën, nuk mund të ndërtohet besimi për të ardhmen. Ne dëshirojmë marrëdhënie të mira fqinjësore, paqe e bashkëpunim, mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë”, ka theksuar Kurti.
Ai ka përfunduar duke shprehur shpresën se zhvillimet e reja politike në Serbi do të hapin rrugën për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, përmes njohjes së ndërsjellë.
