Lajme

Çështja e presidentit, Glauk Konjufca: Nëse është jo-partiak, jap dorëheqje nga kandidatura

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se në takimet me opozitën nuk është diskutuar konkretisht për ndonjë kandidat për president.

“Jo, nuk e di, nuk kemi folë në këtë dimension. Lëvizja Vetëvendosje ka shkuar me propozimin e vet, megjithëse një propozim që e lypshin edhe për me qenë kryeparlamentar. Tash nuk e di pse s’po u pëlqen mos me qenë president se e lypshin me qenë edhe kryeparlamentar”, ka deklaruar Konjufca.

Ai shtoi se deri më tani nuk është hapur opsioni për një president partiak.

“Po tash, në anën tjetër është jo-partiak. Marrëveshja politike për president partiak deri tash nuk është hapur si opsion. Deri tash është diskutuar për president jo-partiak”, tha ai.

Konjufca theksoi se nëse arrihet marrëveshje për një president jo-partiak, ai është i gatshëm të tërhiqet nga kandidatura.

“Nëse është jo-partiak, unë jap dorëheqje prej kandidaturës. Kush jam unë me mbyllë rrugë. Është shumë e rëndësishme me ia dhënë Kosovës një president dhe me i hapë këto rrugë. Presidenti jo-partiak nënkupton që të gjitha subjektet ulen dhe e gjejnë një person”, u shpreh ai.

Ai shtoi se një president i tillë do të duhej të ishte figurë konsensuale, e pranueshme për të gjitha palët politike.

Të Ngjashme