Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kërkuar mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të brendshme, duke e cilësuar këtë si rrugën e vetme për rikthimin e LDK-së drejt fitoreve.
Në një deklaratë publike, Zemaj i bëri thirrje kryetarit të partisë që të ndërmarrë këtë hap, në mes të debatit të brendshëm që po zhvillohet në LDK pas zhvillimeve të fundit politike.
“Thirrja më e sinqertë për kryetarin e LDK-së është që të ulet, ta thërrasë Kuvendin e Jashtëzakonshëm dhe t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme. T’i hapim rrugë fitoreve të LDK-së”, deklaroi Zemaj.
Kjo kërkesë vjen në një kohë kur brenda LDK-së janë shtuar zërat kritikë ndaj udhëheqjes së partisë, duke nxitur diskutime për nevojën e reformimit dhe riorganizimit të strukturave drejtuese.
Sinani: Vendimi duhet të bazohet jo vetëm në atë që ka ndodhur, por edhe në bindjen se cili është plani më i mirë për ta çuar LDK-në përpara
Ish-kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Blerim Sinani në një përgjigje për “Bota sot”, tha se LDK-ja duhet të respektojë Statutin dhe procesi i Kuvendit të Jashtëzakonshëm duhet të zhvillohet në frymën e demokracisë së brendshme.

Blerim Sinani
Ai vlerësoi përgatitjet e Kryesisë për mbajtjen e Kuvendit si dëshmi të respektimit të rregullave partiake.
“LDK-ja e ka të rregulluar qartë me Statut mënyrën e thirrjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm. Nëse janë plotësuar kushtet statutare, është në interes të partisë që procesi të zhvillohet në frymën e demokracisë së brendshme. Fakti që Kryesia ka nisur menjëherë përgatitjet për mbajtjen e Kuvendit tregon edhe një herë se LDK-ja respekton Statutin dhe mbetet partia më demokratike në vend”, tha ai.
Sinani tha se vendimin për lidershipin e LDK-së duhet ta marrin delegatët, pas një diskutimi të hapur për rezultatin zgjedhor dhe të ardhmen e partisë. Ai theksoi se zgjedhja duhet të bazohet në planin më të mirë për zhvillimin e LDK-së.
“Sa i përket pyetjeve rreth lidershipit, mendoj se fjalën e fundit duhet ta kenë delegatët. Janë pikërisht ata që para pak muajsh kanë shprehur vullnetin e tyre dhe po ata kanë legjitimitetin të vendosin se cila është rruga më e mirë për LDK-në.
Besoj se para votimit duhet të ketë një diskutim të hapur jo vetëm për rezultatin zgjedhor, por edhe për të ardhmen. Delegatët kanë të drejtë të dëgjojnë platformën e lidershipit aktual, vizionin për hapat e ardhshëm dhe qasjen ndaj negociatave për krijimin e institucioneve. Në fund, vendimi duhet të bazohet jo vetëm në atë që ka ndodhur, por edhe në bindjen se cili është plani më i mirë për ta çuar LDK-në përpara”, përfundoi ai.
Makolli: Edhe një kuvend si ai i “Karrigeve” do të ishte fundi i LDK-së
Analisti politik, Vesel Makolli për “Bota sot” tha se LDK-ja ka nevojë për reflektim, unitet dhe një proces demokratik për të tejkaluar krizën e brendshme.
Ai theksoi se lideri partiak duhet të ketë mbështetje të gjerë nga anëtarësia dhe se partia duhet të fokusohet në program e jo në përplasje personale.
“Situata në LDK është alarmuese. Edhe një kuvend si ai i “Karrigeve” do të ishte fundi i LDK-së.
Partia ka nevojë urgjente për reflektim të thellë, unitet dhe një proces të besueshëm demokratik, ku gara për drejtimin të zhvillohet me dinjitet, me respekt për mendimin ndryshe dhe me fokus te programi, e jo te përplasjet personale. Anëtarësia dhe qytetarët e Kosovës presin vizion, ide dhe alternativa për qeverisje, jo konflikte të brendshme që dëmtojnë besimin ndaj partisë.
LDK-ja, si parti me traditën më të gjatë në Kosovë dhe jo vetëm, e ka përgjegjësinë të ruajë kulturën demokratike dhe të dalë nga kriza me institucione më të forta, jo me ndarje të reja. Nëse gabimet e së kaluarës përsëriten, pasojat mund të jenë të rënda jo vetëm për partinë, por edhe për elektoratin që pret një LDK të bashkuar, serioze dhe konkurruese.
Duhet dalluar besimi që duhet ta ketë një lider shtetëror (kryeministër ose president) nga besimi që duhet ta ketë një lider partiak te anëtarësia e partisë së tij”, theskon ai për “Bota sot”.
Makolli u shpreh se lideri i një partie duhet të ketë mbështetje të gjerë nga anëtarësia dhe, në rast të humbjes së besimit, duhet të rishikojë pozicionin e tij.
Ai potencoi se përgjegjësia për rezultatet zgjedhore bie mbi kryetarin dhe kërkoi që LDK-ja të vendosë interesin e partisë mbi atë personal.

Vesel Makolli
“Një lider shtetëror, nëse gëzon mbështetjen e mbi 50% të qytetarëve, mund të konsiderohet se ka një legjitimitet të fortë demokratik. Mirëpo, standardi për një lider partiak është tjetër. Ai duhet të ketë një mbështetje shumë më të gjerë brenda anëtarësisë së partisë, sepse roli i tij është të bashkojë, të udhëheqë dhe të përfaqësojë shumicën dërrmuese të strukturave partiake.
Nëse besimi i anëtarësisë bie nën 80%, lideri duhet ta rishikojë seriozisht punën, qasjen dhe vendimet e tij. E nëse mbështetja zbret nën 60%, siç ka ndodhur në kuvendin e fundit të votëbesimit për kryetarin e LDK-së, dhe tash kur janë mbledhur 43% të nënshkrimeve të Kuvendit të Përgjithshëm, është një shenjë e qartë se besimi është cenuar rëndë. Në rrethana të tilla, duhen ndërmarrë urgjentisht veprime që i shërbejnë unitetit të partisë, rikthimit të besimit të anëtarësisë dhe vendosjes së interesit partiak e shtetëror mbi çdo interes personal.
Askush nuk duhet të jetë më i madh se vetë LDK-ja, sepse kjo parti ka një histori të jashtëzakonshme dhe një rol të pazëvendësueshëm në ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Në çdo parti demokratike, përgjegjësia për rezultatin zgjedhor fillon prej kryetarit. Kur besimi i elektoratit bie dhe partia nuk arrin të rikthehet si alternativë fituese, dorëheqja nuk duhet të shihet si dobësi, por si akt përgjegjësie politike dhe morale.
Në këtë kontekst, thirrja e Armend Zemajt është një thirrje e sinqertë për kryetarin e LDK-së që të ulet, ta thërrasë Kuvendin e Jashtëzakonshëm dhe t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, për t’i hapur rrugë fitoreve të LDK-së. Ky veprim do të ishte në të mirë të anëtarësisë dhe përkrahësve të LDK-së, të Kosovës dhe të vetë kryetarit Abdixhiku, për të cilin një shkarkim eventual nga Kuvendi i Përgjithshëm do të kishte qenë fundi i karrierës së tij politike” – përfundon ai për gazetën.
