Lajme

Stuhia godet Kosovën, humb jetën një burrë pas rrëzimit nga ballkoni i banesës. Plagosen edhe dy persona

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e së martës në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë, pas përkeqësimit të kushteve atmosferike që përfshinë Kosovën.

Një 61-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rrëshqitur në ballkonin e banesës së tij gjatë kohës së stuhisë, duke pësuar dëmtime të rënda në kokë.

Sipas Policisë së Kosovës, i dëmtuari u transportua me autoambulancë drejt Qendrës Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, por mjekët konstatuan se ai kishte mbërritur pa shenja jete.

“Si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike, në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë, një person mashkull kosovar i vitit të lindjes 1965, dyshohet se aksidentalisht ka rrëshqitur në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë së tij, ku ka pësuar lëndime në kokë. I njëjti është dërguar me autoambulancë në Qendrën Emergjente në Gjilan, ku është konstatuar pa shenja jete”, njoftoi Policia e Kosovës.

Ndërkohë, në të njëjtin fshat, dy persona të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta trupore pasi dyert hyrëse të oborreve të tyre janë rrëzuar si pasojë e erërave të forta.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes për shkak të vijimit të kushteve të paqëndrueshme atmosferike në rajon.

Të Ngjashme