26.09.2026 – 14:35
Gërvalla: Nuk kam heshtur për vendimin e Hagës, jam përgatitur për betejën ligjore në fazën e ardhshme
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk ka heshtur lidhur me vendimin dënues të Gjykatës Speciale në Hagë, duke theksuar se si ministre dhe bashkë me ekipin e saj është përqendruar në përgatitjet për fazat e ardhshme të procesit gjyqësor.
Duke iu përgjigjur pyetjes se pse nuk kishte reaguar publikisht për vendimin dhe për kërkesat e protestuesve për dorëheqjen e saj, Gërvalla ka mohuar kategorikisht çdo lidhje apo bashkëpunim me UNMIK-un, EULEX-in apo Gjykatën Speciale.
“Po filloj nga e fundit. Tek deklaratat që më lidhin mua në çfarëdo lloj forme me bashkëpunimin, tashmë është bërë bajate sepse i kam shpjeguar disa herë. Nuk kam në asnjë hallkë, as me UNMIK-un, as me EULEX-in, as me Gjykatën Speciale, nuk kam asnjë pikë takimi, as direkt e as indirekt. Mirëpo, edhe pak durim duhet të kemi sepse aktgjykimi do të vijë shpejt dhe do ta shohim shumë shpejt. Edhe një shpresë të vogël e kam që në fakt ata që më së shumti kanë bërtitur në këtë lëmi, ata që më së shumti më kanë etiketuar me lloj-lloj emrash, të paktën para pasqyrës të skuqen për një moment që nuk kanë dashur t’i dëgjojnë faktet, por kanë zgjedhur që të përsërisin rrenat e qitura në qarkullim nga ata vetë”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka mohuar gjithashtu se ka heshtur për zhvillimet në Hagë. Sipas saj, përgjegjësia e saj si ministre është që të punojë në aspektin institucional dhe ligjor, ndërsa ka thënë se Qeveria tashmë ka dhënë qëndrimin e saj përmes kryeministrit.
“Ndërsa sa i përket heshtjes, unë nuk kam heshtur. Jam ministre e Drejtësisë. Kryeministri ka dhënë një deklaratë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa unë së bashku me ekipin tim, që nga dita e parë, jam futur punës me qëllim që të përgatitemi për një betejë, sepse çështja e Gjykatës Speciale është betejë ligjore, nuk është betejë deklaratash në media. Dhe si betejë ligjore, ne duhet të jemi profesionistë, të mençur, me kokën të ftohtë, pa shumë bërtima, duhet të përgatitemi për instancën e ardhshme”, është shprehur ministrja.
Ajo ka thënë se Qeveria duhet të analizojë të gjitha rrethanat dhe të përcaktojë veprimet që mund të ndërmerren në fazat e ardhshme të procesit.
“Ju e keni dëgjuar edhe njërin prej avokatëve të katër të akuzuarve edhe tashmë të dënuarve në instancë të parë, i cili thotë që Qeveria nuk di çfarë do të ishte dashur të bëjë më shumë. Unë jam e bindur që mund të bëjmë më shumë. Mirëpo jemi duke i shikuar dhe analizuar të gjitha rrethanat me qëllim që secili në pozitën e tij, në përgjegjësinë e tij, ta kryejë punën e tij me ndershmëri dhe ashtu siç duhet”, ka thënë ajo.
E pyetur konkretisht për kërkesën e protestuesve për dorëheqjen e saj, ministrja ka thënë se një kërkesë e tillë është e drejtë e qytetarëve në një shtet demokratik.
“Është e drejtë e secilit qytetar të Republikës së Kosovës të kërkojë dorëheqjen e secilit ministër. Jetojmë në një shtet demokratik ku është e drejtë e secilit ta shprehë mendimin e tij. Prandaj nuk e komentoj unë kërkesën për dorëheqje, nuk është e imja as t’i imponoj dikujt dorëheqjen, por as t’ia ndaloj fjalën kërkujt. Është e rëndësishme që në institucionin për të cilin unë mbaj përgjegjësi, të kryhen punët ashtu si duhet edhe këto tema të diskutimeve publike të menaxhohen”, ka deklaruar ajo.
26.09.2026 – 14:19
Gërvalla: Ministria po e analizon projektligjin e PDK, kërkon analizë të kujdesshme
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se për çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara nevojitet kujdes i madh dhe ekspertizë, duke theksuar se Ministria e Drejtësisë po e analizon propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Ajo ka thënë se kur të përfundojë analiza, Ministria e Drejtësisë do t’ia dërgojë Qeverisë opinionin e saj, duke mos e vonuar atë
“Sfidat me të cilat ballafaqohemi edhe këto ditë kërkojnë bashkërendim të gjithë neve për çështje që kanë të bëjnë me shtetin, kushtetutshmërinë, historinë dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Shumica e gjërave që lidhen me dhomat e specializuara janë çështje të ekspertizës së lartë. Nevojitet kujdes i madh që të mos bëjmë gabime. Në Ministrinë e Drejtësisë janë ekspertët që po e analizojnë edhe projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Kur ta kemi gati, do t’ia dërgojmë qeverisë opinionin tonë. Nuk do ta vonojmë, shpejt do ta dërgojmë. Por as nuk duam të nxitohemi, e ta paguajmë me cilësi të munguar e gabime të papranueshme. Më shumë sesa për fjalë, kemi nevojë për bashkëpunim e bashkërendim, analizë e ekspertizë me qëllim që në fund të fitojë drejtësia”, tha ajo.
Gërvalla ka folur edhe për 26 shtatorin, duke përmendur masakrën e familjes Deliu në Abri të Epërme dhe referendumin për pavarësinë e Kosovës.
“Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme u krye një nga masakrat më mizore të Serbisë: gjenocidale vrasja e 23 anëtarëve të familjes Deliu. Ky është një fakt i pamohueshëm, siç është e pamohueshme edhe e vërteta jonë për Luftën Çlirimtare. Askush nga autorët e krimit nuk u dënua deri sot për këtë masakër mizore. Gjithashtu, data 26 shtator 1991 na kujton fillimin e referendumit për pavarësinë e Kosovës, i cili u mbajt deri më 30 shtator, dhe ku me dukshëm më shumë se 90% të votave qytetarët e Kosovës e shpallën Kosovën Republikë të Pavarur. Referendumi u mbajt edhe në Tiranë, në një zyrë të thjeshtë, mijëra qytetarë të Kosovës votuan për pavarësi edhe pikërisht në atë zyrë. Ndihem shumë krenare dhe ndihem shumë e privilegjuar që e kam bashkëorganizuar dhe drejtuar këtë proces të rëndësishëm. Sot Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur ndërkombëtarisht”, tha ajo.
26.09.2026 – 14:09
Ministrja Gërvalla mban konferencë për media
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, sot do të mbajë konferencë për media.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, konferenca do të mbahet në orën 14:00, në ndërtesën e ish-Rilindjes.
Në njoftimin e Ministrisë nuk është bërë e ditur arsyeja apo tema për të cilën do të mbahet konferenca.
Njoftimi:
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, sot do të mbajë konferencë për media.
DATA: 26.09.2026
KOHA: 14:00
VENDI: Ndërtesa e ish-Rilindjes
Kati IX, Zyra 914
