Lajme

Gjenerali që komandoi edhe shqiptarët, tani ambasador në Tiranë: Kush është Eric Wendt?

Nga operacionet speciale amerikane dhe drejtimi i forcave elitë të NATO-s, te diplomacia në Lindjen e Mesme dhe tashmë në Tiranë. Eric Wendt, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, vjen me një profil dukshëm të orientuar nga siguria dhe mbrojtja.

Wendt mbërriti në Shqipëri më 25 shtator, ndërsa këtë të shtunë pritet t’i paraqesë letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj, duke nisur zyrtarisht misionin e tij diplomatik në Tiranë.

Por ndryshe nga shumë diplomatë karriere që kanë drejtuar ambasadat amerikane, Wendt vjen në Shqipëri pas më shumë se tri dekadash në ushtrinë amerikane.

Ai është gjeneral-lejtnant në pension dhe ka shërbyer për më shumë se 34 vjet në Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara, pjesën më të madhe të karrierës në Forcat Speciale amerikane, të njohura si “Beretat e Gjelbra”.

Karriera e tij ushtarake e ka çuar nga Azia dhe Lindja e Mesme deri në Afganistan dhe Evropë. Wendt ka shërbyer në poste të larta komanduese dhe ka drejtuar struktura komplekse shumëkombëshe të sigurisë.

Një nga detyrat më të rëndësishme të tij ishte drejtimi i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s. Në këtë pozicion, nën komandën e tij ishin edhe njësitë shqiptare të operacioneve speciale.

Kjo do të thotë se Shqipëria nuk është një vend krejtësisht i panjohur për ambasadorin e ri.

Wendt ka punuar më parë me drejtues të mbrojtjes dhe ushtarakë shqiptarë, ndërsa gjatë shërbimit si zëvendëskomandant rajonal në Afganistan ka pasur nën strukturën e tij edhe trupa shqiptare. Në dëshminë e tij para Senatit amerikan, Wendt vlerësoi ushtarakët shqiptarë dhe foli pozitivisht edhe për eksperiencën e tij në Shqipëri.

Por përvoja e tij nuk kufizohet vetëm te ushtria.

Për dy vjet Wendt shërbeu pranë Departamentit amerikan të Shtetit si Koordinator i Sigurisë së SHBA-së për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez. Gjatë kësaj periudhe ai ishte pjesë e Ambasadës amerikane në Jerusalem dhe drejtonte një koalicion të përbërë nga tetë vende, duke raportuar te Sekretari amerikan i Shtetit.

Pas përfundimit të karrierës ushtarake, Wendt kaloi edhe në botën akademike. Ai ka punuar si profesor praktike në Naval Postgraduate School në Kaliforni, ku ka dhënë mësim mbi komandimin dhe lidershipin.

Wendt është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara, ndërsa më pas ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Naval Postgraduate School.

Emërimi në Shqipëri nuk është as përpjekja e parë e Wendt për të kaluar nga ushtria në drejtimin e një ambasade. Në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të Donald Trump, ai u nominua për postin e ambasadorit amerikan në Katar, por kandidatura nuk përfundoi procesin e konfirmimit në Senat përpara mbylljes së Kongresit të atëhershëm.

Në prill të këtij viti, Presidenti Donald Trump e zgjodhi atë për të drejtuar Ambasadën amerikane në Tiranë. Kandidatura kaloi më pas procesin e shqyrtimit në Senatin amerikan. Dokumentet zyrtare të Kongresit e regjistrojnë Wendt si Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë.

Gjatë seancës dëgjimore të 20 majit në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë, Wendt dha edhe sinjalet e para për çështjet që pritet të jenë në fokus të mandatit të tij në Tiranë.

Siguria, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimi i bashkëpunimit në NATO dhe krijimi i kushteve më të mira për investimet amerikane ishin ndër temat kryesore.

Wendt deklaroi se synon të mbështesë Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, si dhe të thellojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike. Ai ka folur gjithashtu për sektorë si energjia, infrastruktura dhe minierat si fusha ku mund të rritet bashkëpunimi ekonomik.

Një vend të veçantë në seancën e tij dëgjimore zuri edhe SPAK.

I pyetur për institucionin, Wendt e përshkroi SPAK-un si një strukturë të vlefshme dhe të pavarur dhe deklaroi mbështetje për punën e tij në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Me Eric Wendt, Uashingtoni sjell kështu në Tiranë një ambasador me një profil të pazakontë: më pak të ndërtuar mbi diplomacinë tradicionale dhe shumë më tepër mbi ushtrinë, sigurinë kombëtare, NATO-n dhe menaxhimin e krizave ndërkombëtare.

Dhe, ndryshe nga një ambasador që duhet ta njohë nga fillimi komponentin ushtarak të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, Wendt mbërrin në Tiranë pasi ka komanduar më parë ushtarë shqiptarë dhe ka punuar drejtpërdrejt me drejtuesit e mbrojtjes së vendit.

Tashmë ai do ta vazhdojë këtë marrëdhënie nga një pozicion krejt tjetër: jo më si gjeneral i NATO-s, por si përfaqësuesi më i lartë diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Të Ngjashme