Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla në një konferencë për media ka mohuar deklaratat që e lidhin atë me bashkëpunim me misionet ndërkombëtare dhe Gjykatën Speciale, duke thënë se nuk ka pasur asnjë kontakt, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, me këto institucione.
“Nuk ka në asnjë hallkë, as me UNMIK-un, as me EULEX-in, as me Gjykatën Speciale, nuk ka asnjë pikëtakim timin, as direkt, as indirekt”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka kritikuar edhe ata që, sipas saj, e kanë akuzuar dhe etiketuar pa i dëgjuar faktet.
“E kam një shpresë, ata që kanë bërtitur më shumë në këtë lëmi, ata që më së shumti më kanë etiketuar, të paktën para pasqyrës të skuqen që nuk kanë dëgjuar faktet, por kanë zgjedhur t’i përsërisin gënjeshtrat që i kanë vetë në qarkullim”, ka thënë ministrja.
Gërvalla ka thënë se nuk ka heshtur lidhur me zhvillimet rreth Gjykatës Speciale dhe se në cilësinë e ministres së Drejtësisë, është angazhuar për përgatitjen e Qeverisë për një proces që e konsideron “betejë ligjore”.
“S’kam heshtur, unë jam ministre e Drejtësisë. Kryeministri e ka bërë një reagim në emër të Qeverisë, ndërsa unë si ministre i jam futur punës me qëllim që të përgatitemi për një betejë, sepse Specialja është betejë ligjore, jo deklaratash në media”, ka thënë ajo.
Sa i përket kërkesave për dorëheqjen e saj, Gërvalla ka deklaruar se çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë dorëheqjen e një ministri, por nuk ka dashur të komentojë këto kërkesa.
“Është e drejtë e secilit qytetar të kërkojë dorëheqjen e një ministri. Nuk i komentoj kërkesat për dorëheqje. Nuk ia ndaloj fjalën askujt”, ka deklaruar Gërvalla.
Gërvalla në fund ka folur edhe për projektligjin e propozuar nga PDK-ja, që lidhet me ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë po e analizojnë atë.
Sipas saj, kur analiza të përfundojë, Ministria do t’ia dërgojë Qeverisë opinionin përkatës dhe kjo nuk do të vonojë.
“Më shumë se fjalë, kemi nevojë për bashkëpunim, analizë e ekspertizë që në fund të fitojë drejtësia”, ka përfunduar ajo./teve1.info/
