Kush është i zoti i një tufe bletësh? Dhe çfarë ndodh kur ato kuturisin në tokën e një fqinji?
Në Irlandën e mesjetës së hershme, pyetje të tilla trajtoheshin nga një grup i veçantë ligjesh të quajtura Bechbretha, të cilat përcaktonin të drejtat dhe detyrimet që lidhen me bletarinë. Të njohura edhe si “gjykimet e bletëve”, këto ligje ishin pjesë e sistemit më të gjerë ligjor mesjetar irlandez, i quajtur ligji Brehon (në irlandishten e vjetër “fénechas”, ose ligj zakonor).
Ligji Brehon mbështeste drejtësinë riparuese, jo atë ndëshkuese, dhe përqendrohej kryesisht te kompensimi që duhej paguar për shkeljet. Shumica e këtyre ligjeve u shkruan në shekujt VII dhe VIII, por ka gjasa që ato ruajnë tradita shumë më të vjetra që më parë përcilleshin gojarisht.
Shoqëria irlandeze e asaj kohe ishte hierarkike. Në rastet ligjore, shuma e kompensimit varej plotësisht nga statusi shoqëror i personit, duke ndryshuar sipas pozitës së tij.
Bechbretha shërbente si një udhëzues për juristët që trajtonin raste si hyrja e bletëve në tokën e dikujt tjetër (kur bletët e fqinjit hynin në tokën e tjetrit dhe supozohej se merrnin nektar nga lulet), dëmtime ose vdekje të shkaktuara nga bletët, vjedhja e koshereve dhe kompensimi përkatës për secilin rast.

Në Irlandën mesjetare, bletët kishin status ligjor sepse konsideroheshin si kafshë shtëpiake. Ashtu si lopët, kuajt, derrat, shpendët dhe delet, ato mbroheshin me ligj për shkak të vlerës së tyre të madhe. Bletaria prodhonte shumë produkte: mjaltë për ushqim dhe ëmbëlsim, pije si medovina dhe birra, dyllë për qirinj, për izolim dhe për pllaka shkrimi, si dhe produkte të tjera për mjekësi, lustrim, lubrifikim, kujdes të lëkurës dhe hidroizolim.
Bechbretha kishte edhe një qëllim tjetër, ruajtjen e marrëdhënieve të mira në komunitet. Sipas këtij ligji dhe një teksti tjetër të shekullit VIII, Bretha Comhaithchesa (“Gjykimet mbi fqinjësinë”), një marrëveshje e ndërsjellë mes fermerëve siguronte që kompensimi të paguhej në rast dëmtimesh, vjedhjesh apo hyrjesh të paautorizuara të kafshëve. Kjo kërkonte një nivel besimi mes fqinjëve.
Megjithatë, është një gjë të tregosh kur një kafshë e madhe ka shkaktuar dëme, dhe tjetër gjë të provosh që bletët e fqinjit kanë marrë nektarin nga lulet e tua.
Një zgjidhje që sugjeron Bechbretha është të hidhet miell mbi bletët, të ndiqen ato deri te burimi dhe të identifikohen pronarët. Meqë bletët kthehen shpesh në të njëjtin vend për nektar, kjo metodë, ku mielli bie gjatë fluturimit dhe lë një gjurmë të dukshme, mund të funksionojë. Ligji gjithashtu thotë se pronari i bletëve të humbura ka tre vjet kohë për të mbledhur mjaltin, por në vitin e katërt duhet t’i japë tufën e parë palës së dëmtuar.
Bechbretha trajtonte edhe çështjen e pronësisë së tufave që vendoseshin dhe krijonin koshere të reja në toka private ose të përbashkëta. Bletari që gjente kosheren kishte të drejtë për një të tretën e mjaltit për tre vjet, por pas kësaj kohe pronari i tokës bëhej zotëruesi i saj. Nëse tufa gjendej në pyll, gjetësi përfitonte pothuajse gjithçka, ndërsa kisha lokale dhe kreu i fisit të tij merrnin gjithashtu një pjesë.

Kur kosheret vidhnin ose zhvendoseshin ilegalisht dhe autorët pickoheshin apo vdisnin nga pickimet, bletarët nuk mbaheshin përgjegjës. Nëse bletët pickonin pa provokim, duhej paguar kompensim, por nëse viktima vriste bletën, ky konsiderohej si kompensim i mjaftueshëm. Në përgjithësi, në rastet kur dikush dëmtohej rëndë ose vdiste nga pickimi, kompensimi jepej në formën e koshereve.
Vjedhja e koshereve dënohej rëndë, sidomos në varësi të vendndodhjes së tyre. Sa më afër një shtëpie, veçanërisht një shtëpie me status të lartë, aq më i madh ishte kompensimi, zakonisht në formën e bagëtive, valuta kryesore para përdorimit të monedhave. Edhe vjedhja nga manastiret ndëshkohej me gjoba të rënda.
Fakti që ekzistonin ligje të posaçme për bletët tregon sa të vlerësuara ishin ato. Kompensimi përmes koshereve dhe produkteve të bletës ndihmoi në përhapjen e bletarisë në komunitet. Në Irlandën e hershme, ku mbijetesa varej shumë nga klima, bletët ishin një pjesë thelbësore e bujqësisë, ashtu si edhe sot.

Në fund të shekullit X, kronikat irlandeze përmendin dy raste të ngordhjes masive të bletëve (“bech-dibad”), që sollën uri dhe vdekje te njerëzit. Regjistrimi i këtyre ngjarjeve tregon se ekzistonte një vetëdije për pasojat e zhdukjes së bletëve.
Sot, kolonitë e bletëve në mbarë botën përballen me kërcënime të shumta, humbje habitati, ndryshime klimatike, kimikate toksike dhe parazitë pushtues vdekjeprurës. Bechbretha tregon se, kur ka vullnet dhe përfshirje të komunitetit, mbrojtja e bletëve është e mundur.
