Lajme

Çfarë ndodhi me nëntë somalezët? Rasti ngre shqetësime për sigurinë dhe raportet me BE-në

Rasti i nëntë anëtarëve të delegacionit zyrtar nga Somalia, të cilët u larguan nga akomodimi në Kosovë dhe nuk u paraqitën për kthimin e planifikuar në vendin e tyre, ka ngritur pikëpyetje për mënyrën e organizimit dhe mbikëqyrjes së vizitave zyrtare, si dhe për përgjegjësinë e institucioneve kompetente.

Delegacioni somalez kishte arritur në Kosovë më 25 tetor 2026, për një vizitë që zgjati deri më 28 tetor. Në përbërje të tij ishin 11 persona, përfshirë ministrin e Shtetit për Punë Publike, Banim dhe Rindërtim, Said Mohamed Mohamud, dhe zëvendësministren e Porteve, Fartuun Abdikadir Farah.

Sipas të dhënave të publikuara në notën verbale të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, nëntë anëtarët e delegacionit janë larguar nga akomodimi në kompleksin “Dua Village”, në afërsi të Prishtinës, më 27 tetor, rreth orës 19:10, pa njoftuar autoritetet përgjegjëse për përcjelljen e tyre.

Mungesa e tyre është vërejtur të nesërmen, më 28 tetor, gjatë përgatitjeve për transferimin e delegacionit drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Ndërsa dy drejtuesit e delegacionit u larguan nga Kosova sipas itinerarit të planifikuar, nëntë personat e tjerë nuk u paraqitën në terminalin VIP të aeroportit.

Për këtë situatë, MPJD-ja e Kosovës u është drejtuar zyrtarisht autoriteteve të Somalisë përmes një note verbale të datës 30 tetor 2026, me numër reference 4868-561/26, duke kërkuar sqarime për vendndodhjen dhe sigurinë e nëntë personave.

Në komunikimin diplomatik, autoritetet e Kosovës kanë theksuar se, pavarësisht përpjekjeve për të marrë informacione përmes përfaqësuesve të delegacionit, nuk kanë arritur të sigurojnë të dhëna konkrete për vendndodhjen e tyre. Gjithashtu, kanë bërë të ditur se nuk kanë konfirmim nëse nëntë personat kanë qëndruar në Kosovë apo janë larguar nga territori i saj.

Nga ana tjetër, autoritetet somaleze ende nuk kanë dhënë një sqarim të plotë publik për fatin e nëntë anëtarëve të delegacionit. Më 4 nëntor, kryeministri i Somalisë, Hamza Abdi Barre, shkarkoi nga detyra ministrin e Shtetit për Punë Publike, Banim dhe Rindërtim, Said Mohamed Mohamud, dhe zëvendësministren e Porteve, Fartuun Abdikadir Farah. Megjithatë, vendimi për shkarkimin e tyre nuk është lidhur drejtpërdrejt me incidentin në Kosovë.

Ndërkohë, disa raportime në mediat somaleze kanë ngritur dyshime se personat mund të jenë përfshirë në delegacion për të shfrytëzuar udhëtimin drejt Evropës dhe për të kërkuar azil. Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht. As nota verbale e Kosovës nuk dëshmon se ata kanë kërkuar azil apo kanë hyrë në ndonjë shtet të Bashkimit Evropian.

Gazeta “Bota sot” ka kontaktuar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të marrë një qëndrim lidhur me rastin, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje.

Për këtë çështje kanë folur për “Bota sot” analisti politik Zejnullah Jakupi dhe ish-hetuesi Agim Rexhepi. Të dy vlerësojnë se rasti kërkon hetim dhe sqarim të plotë institucional, duke theksuar nevojën për të përcaktuar përgjegjësitë në organizimin, verifikimin dhe përcjelljen e delegacionit. Ata kanë ngritur gjithashtu shqetësime për ruajtjen e besimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Jakupi: Rastet e përsëritura mund të ndikojnë në vlerësimin e partnerëve evropianë

Analisti politik Zejnullah Jakupi, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se rasti kërkon sqarim të plotë institucional, duke theksuar se nuk duhet të nxirren përfundime pa pasur konfirmime zyrtare për rrethanat dhe vendndodhjen e nëntë personave.

Image
Zejnullah Jakupi

Ai ka theksuar se, ndonëse një rast i vetëm nuk nënkupton automatikisht rrezikimin e liberalizimit të vizave, situata të përsëritura dhe mangësitë sistematike mund të ndikojnë në vlerësimin e partnerëve evropianë.

“Rasti i nëntë anëtarëve të delegacionit zyrtar nga Somalia, të cilët nuk u kthyen së bashku me pjesën tjetër të delegacionit pas vizitës në Kosovë, është një çështje që kërkon sqarim të plotë institucional. Nuk duhet paragjykuar se këta persona kanë shfrytëzuar vizitën për migrim të parregullt, pasi deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar për vendndodhjen e tyre apo për faktin se kanë kërkuar azil. Megjithatë, rrethanat e këtij rasti ngrenë pikëpyetje legjitime për mënyrën se si është menaxhuar vizita.

Duhet të kemi parasysh se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një arritje e rëndësishme në raport me Bashkimin Evropian dhe një dëshmi e besimit të ndërsjellë. Prandaj, çdo rast që mund të krijojë perceptimin se territori i Kosovës po shfrytëzohet si pikë tranziti për migrim të parregullt drejt vendeve të BE-së duhet të trajtohet me seriozitet. Kjo nuk do të thotë se një incident i vetëm rrezikon automatikisht liberalizimin e vizave, por raste të përsëritura dhe mangësi sistematike mund të ndikojnë në vlerësimin e partnerëve evropianë”, ka thënë ai.

Më tej, Jakupi ka përmendur edhe mekanizmin ligjor të Bashkimit Evropian për pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza, duke theksuar se duhet bërë dallimi ndërmjet përgjegjësisë së personave që nuk janë kthyer dhe përgjegjësisë së institucioneve të Kosovës për menaxhimin e kufijve dhe kontrollin e hyrjes së shtetasve të vendeve të treta.

“Mekanizmi i BE-së për pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza ekziston dhe mund të aktivizohet në rastet kur evidentohen shkelje të kritereve, rritje të konsiderueshme të migrimit të parregullt, probleme të sigurisë apo mangësi sistematike në politikat dhe procedurat përkatëse. Megjithatë, duhet bërë dallimi ndërmjet përgjegjësisë së personave që nuk janë kthyer dhe përgjegjësisë së Kosovës për menaxhimin e kufijve dhe kontrollin e hyrjes së shtetasve të vendeve të treta”, ka potencuar Jakupi.

Sa i përket përgjegjësisë institucionale, analisti ka kërkuar që të sqarohen procedurat e organizimit dhe verifikimit të delegacionit, si dhe përgjegjësitë për përcjelljen e anëtarëve të tij gjatë qëndrimit në Kosovë.

“Në këtë rast, institucionet e Kosovës duhet të sqarojnë se si është miratuar dhe organizuar përbërja e delegacionit, cilat kanë qenë procedurat e verifikimit të anëtarëve, kush ka qenë përgjegjës për përcjelljen e tyre dhe në çfarë rrethanash nëntë persona kanë dalë nga akomodimi pa njoftuar institucionet përkatëse.

Mendoj se është i domosdoshëm një hetim institucional, me përfshirjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera kompetente. Nëse konstatohen neglizhencë, shkelje procedurale apo përgjegjësi konkrete, ato duhet të adresohen dhe përgjegjësit të japin llogari”, ka sugjeruar ai.

Në përfundim, Jakupi ka theksuar se institucionet duhet të japin sqarime të plota për rastin, në mënyrë që të përcaktohen rrethanat e largimit të nëntë anëtarëve të delegacionit dhe të identifikohen përgjegjësitë eventuale.

“Kosova nuk duhet të lejojë që raste të tilla të krijojnë dyshime mbi seriozitetin e institucioneve të saj në përmbushjen e standardeve evropiane. Mbrojtja e liberalizimit të vizave nuk është vetëm çështje e kontrollit kufitar, por edhe e besueshmërisë institucionale dhe e përmbushjes së vazhdueshme të obligimeve ndaj partnerëve evropianë”, ka përfunduar Jakupi.

Rexhepi: Besimi i BE-së nuk duhet të rrezikohet

Edhe ish-hetuesi Agim Rexhepi për “Bota sot” ka ngritur shqetësime për mënyrën e verifikimit të personave që kanë qenë pjesë e delegacionit, koordinimin institucional dhe respektimin e procedurave të sigurisë.

Image
Agim Rexhepi

Ai ka theksuar se një situatë e tillë duhet të trajtohet me seriozitet, veçanërisht për shkak të rëndësisë që ka ruajtja e besimit të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe liberalizimit të vizave.

“Rasti i nëntë anëtarëve të delegacionit zyrtar nga Somalia, të cilët nuk u kthyen së bashku me pjesën tjetër të delegacionit pas vizitës në Kosovë, është një çështje që kërkon sqarim të plotë institucional, përgjegjësi dhe transparencë.

Kosova ka investuar shumë politikisht dhe diplomatikisht për të fituar besimin e Bashkimit Evropian dhe për të siguruar liberalizimin e vizave për qytetarët e saj. Prandaj, çdo situatë që mund të krijojë perceptimin se territori i Kosovës po shfrytëzohet si pikë kalimi për migrim të parregullt drejt vendeve të BE-së duhet të trajtohet me seriozitetin më të madh.

Liberalizimi i vizave nuk është vetëm një e drejtë e qytetarëve tanë, por edhe një përgjegjësi shtetërore për ta ruajtur besimin e partnerëve evropianë”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Ish-hetuesi Rexhepi ka sqaruar se një rast i vetëm nuk nënkupton automatikisht rrezikimin apo pezullimin e liberalizimit të vizave. Megjithatë, ai ka paralajmëruar se përsëritja e situatave të tilla dhe evidentimi i mangësive sistematike mund të krijojnë shqetësime në raportet me institucionet evropiane.

“Duhet të jemi të qartë: një rast i vetëm nuk nënkupton automatikisht rrezikimin apo pezullimin e liberalizimit të vizave. Megjithatë, nëse raste të tilla përsëriten dhe dëshmojnë mangësi sistematike në kontrollin kufitar, verifikimin e delegacioneve apo zbatimin e procedurave të sigurisë, atëherë mund të krijojnë shqetësime serioze në raportet me institucionet evropiane.

Bashkimi Evropian ka mekanizëm ligjor për pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza në rastet kur plotësohen kushtet e përcaktuara me legjislacionin përkatës. Kjo do të thotë se Kosova duhet të jetë veçanërisht e kujdesshme dhe të mos lejojë që ndonjë parregullsi institucionale të shndërrohet në problem për të gjithë qytetarët e saj”, është shprehur ai.

Në këtë drejtim, Rexhepi ka ngritur disa pyetje lidhur me përgjegjësinë e institucioneve për verifikimin dhe përcjelljen e delegacionit gjatë qëndrimit në Kosovë.

“Në këtë rast shtrohen disa pyetje thelbësore:

Kush i ka verifikuar identitetin, statusin dhe funksionin zyrtar të nëntë personave që kanë qenë pjesë e delegacionit?

Cilat institucione kanë qenë përgjegjëse për koordinimin dhe përcjelljen e delegacionit gjatë qëndrimit në Kosovë?

A janë respektuar të gjitha procedurat e parapara për vizitat e delegacioneve zyrtare?

A është vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme rreziku që një vizitë zyrtare të mund të shfrytëzohet për qëllime krejtësisht

Të Ngjashme