Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka reaguar ndaj raportimeve të fundit në media dhe publikimeve të individëve të ndryshëm lidhur me arrestime të pretenduara të personave zyrtarë, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe mediave që të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare të konfirmuara nga institucioni, shkruan “Bota Sot”.
Në një deklaratë të publikuar të dielën, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka vlerësuar se shkrimet e shpërndara ditëve të fundit kanë krijuar konfuzion në publik dhe pasiguri juridike.
Përmes këtij reagimi, institucioni ka theksuar rëndësinë e verifikimit të informacionit që lidhet me punën dhe veprimet e Prokurorit të Shtetit, duke kërkuar që të shmangen publikimet e pakonfirmuara dhe ato që nuk burojnë nga burime zyrtare.
“Për çështjet që ndërlidhen me punën dhe veprimet e Prokurorit të Shtetit” duhet të shfrytëzohen vetëm informacione zyrtare dhe të konfirmuara nga vetë institucioni, thuhet në deklaratë.
Ndërkaq, Kryeprokurori i Shtetit ka siguruar qytetarët se institucioni do të vazhdojë t’i trajtojë të gjitha rastet penale në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, legjislacionin në fuqi dhe standardet më të larta të drejtësisë.
“Gjatë ditëve të fundit, individë dhe media të caktuara kanë raportuar dhe shpërndarë shkrime të ndryshme për “arrestime të personave zyrtarë”, të cilat kanë krijuar konfuzion në publik dhe pasiguri juridike.
Në lidhje me këtë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit bën thirrje që për çështjet që ndërlidhen me punën dhe veprimet e Prokurorit të Shtetit të bazoheni vetëm në informacione zyrtare dhe të konfirmuara nga vetë institucioni, si dhe të shmangni çdo informacion tjetër që nuk është zyrtar dhe i konfirmuar.
Kryeprokurori i Shtetit siguron qytetarët e vendit se do të kujdeset që institucioni i Prokurorit të Shtetit të trajtojë çdo rast penal në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet në fuqi dhe standardet më të larta të drejtësisë”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
