Lajme

Çitaku: Aleanca me SHBA-në është garancia më e madhe strategjike e Kosovës

Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Vlora Çitaku, ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar ato si aleancë të ndërtuar mbi besim, sakrificë dhe vendime historike.

Në një reagim publik, Çitaku rikujtoi rolin vendimtar të SHBA-së në periudha kyçe të historisë së Kosovës, duke përfshirë ndërhyrjen e NATO-s gjatë luftës, procesin e njohjeve ndërkombëtare si dhe mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Sipas saj, në të gjitha këto momente vendimtare, Shtetet e Bashkuara kanë qenë në anën e Kosovës, duke investuar jo vetëm burime diplomatike dhe politike, por edhe kredibilitetin e tyre ndërkombëtar.

Duke komentuar zhvillimet e fundit, ajo ngriti shqetësimin për refuzimin e një projekti energjetik amerikan në Kosovë, duke theksuar se çështja nuk lidhet vetëm me energjinë, por edhe me mesazhin që vendi u dërgon aleatëve të tij strategjikë.

“Kosova nuk bëhet më e fortë duke i kthyer shpinën Amerikës. Aleanca me Shtetet e Bashkuara nuk është barrë, por garancia më e madhe strategjike e Republikës së Kosovës,” u shpreh ajo.

Çitaku theksoi se kjo marrëdhënie duhet të ruhet dhe të forcohet përmes projekteve konkrete që, sipas saj, i shërbejnë interesit të qytetarëve dhe zhvillimit të vendit./teve1.info/

Të Ngjashme