Nënkryetarja e PDK’së, Vlora Çitaku, ka falënderuar për udhëheqjen e partisë tashmë ish-kryetarin Bedri Hamza, pak pas njoftimit të tij për dorëheqje.
Çitaku tha se këtë pozitë ai e mori i shtyrë nga nevoja për t’i shërbyer partisë dhe Kosovës në një kohë të vështirë dhe jo për ambicie personale.
“Në një kohë të vështirë, ky angazhim ishte edhe në shërbim të çlirimtarëve tanë në Hagë, për të cilët u angazhove me tërë qenien”.
Çitaku tha se Hamzës iu desh të kalojë nëpër tri palë zgjedhje nacionale gjatë mandatit të tij, duke shtuar se ai iu dha forcë me besimin e maturinë e tij gjatë këtyre proceseve.
Postimi i plotë:
Faleminderit, Kryetar!
Faleminderit Bedri!
Sot, kur Bedri Hamza përmbylli angazhimin e tij si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, dua ta falënderoj përzemërsisht dhe publikisht për përkushtimin dhe mirëkuptimin gjatë rrugëtimit tonë të përbashkët në këtë nivel bashkëpunimi.
Bedri, ka qenë kënaqësi dhe nder të punojmë bashkë. Në një periudhë intensive, me tri palë zgjedhje nacionale në mes, maturia dhe besimi yt na kanë dhënë forcë për të ecur përpara.
Ti e more përgjegjësinë e kryetarit i shtyrë nga nevoja për t’i shërbyer partisë dhe Kosovës, jo për ambicieje personale. Në një kohë të vështirë, ky angazhim ishte edhe në shërbim të çlirimtarëve tanë në Hagë, për të cilët u angazhove me tërë qenien.
Jam e bindur se kemi ende shumë punë të mira për të bërë së bashku për PDK-në dhe Kosovën.
Faleminderit për të gjitha, Bedri!
