Lajme

Çollaku: LDK-së i duhet të jetë në qeveri, koalicioni me LVV-në do t’i kthente një frymë tjetër partisë

Analisti politik Fatmir Çollaku, në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ka komentuar takimin e thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me partitë politike para fillimit të seancës së parë të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e kryetarit të organit ligjvënës.

Sipas Çollakut, nga partitë politike të ftuara nga Kurti, e vetmja që ka pranuar ftesën për takim është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila pritet të marrë pjesë në këtë takim.

Duke folur për mundësinë e një koalicioni mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Çollaku ka thënë se një mundësi e tillë nuk përjashtohet, pasi sipas tij LDK-së i nevojitet të jetë pjesë e qeverisjes.

“LDK-ja është momentumi i fundit që të bëjë koalicion dhe të rehatohet në qeveri, për faktin që të marrë pjesë në koalicion për qeverisje dhe bashkëqeverisje bashkë me VV-në. Edhe kjo do të ringjallte, do të kthente një frymë tjetër në parti, sepse të gjithë e dinë se partitë politike synimin themelor e kanë pushtetin. Edhe ato parti të cilat në një kohë të gjatë mbesin jashtë qeverisjes, jashtë pushtetit, ato veniten”.

“Prandaj, në këtë kontekst, LDK-së i nevojitet më shumë se kurdoherë që të marrë pjesë në qeverisje, që të bashkëqeverisë dhe natyrisht me dikastere të rëndësishme. Në këtë mënyrë të kthejë besimin te qytetarët dhe votuesit të cilët i ka pasur dikur dhe të konsolidohet si parti që e bën shtetin, merr pjesë në shtet në kuptimin e qeverisë. Prandaj kjo do të ndodhë, që do të kërkojë hise në pjesën e qeverisjes”, ka thënë Çollaku.

Të Ngjashme