Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë e regjistruar mbrëmjen e së shtunës në Rrogozhinë, ku një konflikt mes dy fqinjëve përfundoi me një viktimë.
Sipas informacioneve zyrtare, viktima është Rrapush Memolla, rreth 60 vjeç, ndërsa si autor i dyshuar është arrestuar Meklan Meçe, rreth 25 vjeç. Të dy banonin pranë njëri-tjetrit në lagjen “Mollaj” të Rrogozhinës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:50, kur për motive që paraprakisht konsiderohen të dobëta, mes dy fqinjëve ka shpërthyer një konflikt i çastit që më pas ka degraduar në përdorimin e mjeteve prerëse.
Si pasojë e plagëve të marra, Rrapush Memolla ka mbetur i plagosur rëndë dhe ka humbur jetën, ndërsa 25-vjeçari Meklan Meçe ka pësuar dëmtime në njërën dorë.
Pak pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë mbërritën në vendngjarje dhe nisën veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Brenda pak minutash, pas ndërhyrjes së shpejtë operacionale, policia arriti të lokalizojë dhe të arrestojë Meklan Meçen.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të zbardhur plotësisht dinamikën e konfliktit, shkaqet që çuan në përplasjen fatale mes dy fqinjëve dhe për të dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, trupi i viktimës do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore, ndërsa pritet që në orët në vijim të dalin detaje të tjera mbi konfliktin që i mori jetën 60-vjeçarit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
