Janë publikuar të dhënat më të fundit mbi performancën financiare të televizioneve shqiptare për vitin 2025, të përpunuara nga revista ekonomike Monitor, bazuar në bilancet e dorëzuara nga kompanitë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Sipas renditjes, TV Klan vijon të mbajë vendin e parë për nga të ardhurat, me 2.3 miliardë lekë, duke ruajtur pozicionin si televizioni më i madh në vend. Në vendin e dytë renditet Top Channel, me 1.95 miliardë lekë të ardhura.
Pesëshja plotësohet nga:
Vizion Plus – 655 milionë lekë
ABC News – 376 milionë lekë
Report TV – 309 milionë lekë
Raporti tregon se TV Klan dhe Top Channel vazhdojnë të dominojnë tregun televiziv shqiptar, duke gjeneruar së bashku rreth 63% të të ardhurave të televizioneve kryesore në vend gjatë vitit 2025.
Në total, të ardhurat e televizioneve kryesore shqiptare arritën në rreth 6.8 miliardë lekë, ose afro 70 milionë euro, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë.
