Lajme

Damian Gjiknuri, një tjetër socialist i del Ramës nga rreshti

Socialisti 54 vjeçar Damian Gjiknuri, një deputet i Partisë Socialiste të Edi Ramës, që nga 2005, duket se po del gradualisht nga rreshti i eprorit të tij dhe socialistëve të tjerë krah kryeministrit, duke shfaqur pakënaqësi edhe publikisht.

Ndërsa pak ditë më parë u shfaq krahas deputetes së anatemuar dhe të dalë krejtësisht nga rreshti, Elisa Spiropali, sot Gjiknuri u përplas ashpër me të besuarin e Ramës, Ulsi Manja, duke arritur deri aty sa të braktisë mbledhjen parlamentare në mënyrë demonstrative.

Një largim që u shoqërua me romuze, ironi dhe mesazhet direkte nga Ulsi Manja i cili teksa Gjiknuri dilte jashtë, i tha të shkonte e të merrej me Oerd Bylykbashin e opozitës së Berishës.

Kuvendi u kujdes që kjo përplasje të mos pasqyrohej te faqja e saj zyrtare madje në galerinë e fotove censuroi prezencën e Gjiknurit siç mund të shihni këtu.

Çfarë ndodhi sot

Incidenti ndodhi në Komisionin e Ligjeve ku ndodhi një përplasje mes socialistëve teksa diskutoheshin disa ndryshime në ligjin për tokat bujqësore.

Ulsi Manja, ish ministër Drejtësie, është kryetari i Komisionit. Ai debatoi me socialistin tjetër, Damian Gjiknuri, ish ministër i Infrastrukturës, Transportit dhe Energjisë, para se atë post ta “gllabëronte” Belinda Balluku.

Gjiknuri doli kundër këtij projektligji dhe bashkoi votat me PD duke votuar kundër. Ai u pozicionuar kundër për shkak të nenit 1 të këtij projektligji, që flet për ndryshimet për tokat bujqësore.

Në këtë kuadër ai kërkoi sqarime nga përfaqësuesit e drejtorisë përkatëse.

Debati

Ulsi Manja: Kush është dakord në tërësi?

Oerd Bylykbashi dhe Gent Strazimiri largohen.

Damian Gjiknuri: Ma jep fjalën të jap shpjegim.

Ulsi Manja: Jo jo rri tek abstenimi ti.

Damian Gjiknuri: Se u keqkuptove edhe ti.

Damian Gjiknuri: Ej, do ma japësh fjalën apo të iki fare?

Ulsi Manja: Po ik mo.

Damian Gjiknuri: Ehu muhabet kot, muhabet leshi.

Ulsi Manja: Ik, merru me Oerdin.

Gjiknuri largohet.

“Të vësh një kullë për Wind Farm dhe sot minimumi i prodhimit është 6 mega, do të thotë se është 100 metër e lartë dhe nuk ka shans mos kesh një bazament të madh betoni aty. Se prodhohet ndryshe, nuk ka mundësi. Do të thotë që bëhet fjalë për kulla masive të eolikëve. Për mua s’duhet të futet fare kjo eolikë këtu se flitet për agrofotovoltaik, pastaj futet dhe eolikja. Ngatërrohen me termat dhe mendojnë se janë të gjitha njësoj”, thotë Damian Gjiknuri

Ndërsa Oerd Bylykbashi shtoi: Edhe depozitë ujë 5000 litër të vendosësh, duhet do të bësh platformë betoni, jo më të vesh bateri të cilat mund të jenë sa një kontejner që t’i shërbejnë këtyre fermave fotovoltaike, që do të thotë ai investim që do bëhet atje do ta prishë atë strukturë toke aty”.

Për këto arsye Gjiknuri bashkë me opozitën votoi kundër ligjit në parim dhe abstenoi në shqyrtimet nen për nen.

Gjatë kësaj kohe ndodhën debatet me kryetarin e Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja që nuk i dha fjalën për pyetje, duke bërë që Gjiknuri të largohet nga komisioni.

Manja: Na e lini turpin ne, e gjetët lepurin në ferrë ju të tre sot (Gjiknuri, Bylykbashi dhe Strazimiri) kush është dakord me projektligjin…?

Gjiknuri: Më lër të jap shpjegimin.

Manja: Jo, jo qëndro tek abstenimi ti.

Gjiknuri: Do ma japësh fjalën apo të iki fare?

Manja: Po ik more…

Gjiknuri: Muhabet leshi.

Manja: Ik. Merru me Oerdin!

Të Ngjashme