Lajme

Deklarata e kongresistit amerikan për NATO-n, Rexhepi: Sinjal i fortë politik për Kosovën

Kryetari i Nënkomitetit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve, kongresisti amerikan Keith Self, ka shfrytëzuar një seancë dëgjimore me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, për të kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për vazhdimin e angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor.

Ish hetuesi Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot” ka vlerësuar se mbështetja publike e kongresistit amerikan Keith Self për anëtarësimin e Kosovës në NATO përbën një sinjal të rëndësishëm politik dhe strategjik për vendin.

Ai ka potencuar se kjo mbështetje nuk vjen rastësisht, duke e lidhur atë me zhvillimet e viteve të fundit në Kosovë.

Image
Agim Rexhepi

“Mbështetja publike e kongresistit amerikan Keith Self për anëtarësimin e Kosovës në NATO përbën një sinjal shumë të rëndësishëm politik dhe strategjik për vendin tonë. Fakti që kjo çështje është ngritur drejtpërdrejt në një seancë kongresionale me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio tregon se Kosova vazhdon të gëzojë vëmendje dhe mbështetje në qarqe të rëndësishme vendimmarrëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo mbështetje nuk vjen rastësisht. Gjatë viteve të fundit, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit dhe korrupsionit, rritjen e transparencës institucionale dhe fuqizimin e kapaciteteve të sigurisë. Po ashtu, Kosova ka dëshmuar se është një partner serioz i botës demokratike, duke u rreshtuar qartë përkrah aleatëve perëndimorë në momentet më të rëndësishme gjeopolitike”, ka thënë ai.

Gjithshtu, Rexhepi është shprehur se përkrahja e kongresistit amerikan përbën edhe një njohje indirekte të progresit shtetëror të Kosovës.

Duke folur për rëndësinë e anëtarësimit në NATO, Rexhepi ka theksuar se ai do të sillte siguri më të madhe për vendin dhe rajonin.

“Mbështetja e kongresistit Keith Self është gjithashtu një njohje indirekte e progresit që Kosova ka bërë në konsolidimin e shtetësisë së saj. Nëse para disa viteve diskutohej kryesisht për stabilitetin e Kosovës, sot gjithnjë e më shumë po diskutohet për integrimin e saj në strukturat euroatlantike, përfshirë NATO-n. Ky ndryshim i narrativës është një arritje e rëndësishme shtetërore.

Sa i përket rëndësisë së anëtarësimit në NATO, ai do të përbënte garancinë më të fuqishme të sigurisë për Kosovën dhe gjithë rajonin. Anëtarësimi do të forconte paqen afatgjatë, do të rriste besimin e investitorëve të huaj dhe do të eliminonte shumë nga pasiguritë që ende ekzistojnë në Ballkanin Perëndimor”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, rruga drejt NATO-s mbetet sfiduese për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga disa vende anëtare të aleancës.

Rexhepi ka shtuar se deklarata e Self duhet parë si një tregues i mbështetjes së vazhdueshme që Kosova gëzon në Uashington.

“Natyrisht, procesi nuk është i thjeshtë, pasi brenda NATO-s ende ekzistojnë vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, historia e zgjerimit të NATO-s ka treguar se kur ekziston një mbështetje e fortë dhe e qëndrueshme amerikane, shumë pengesa politike mund të tejkalohen përmes diplomacisë dhe dialogut. Roli i SHBA-së ka qenë gjithmonë vendimtar në proceset strategjike që lidhen me Kosovën, nga çlirimi i vendit deri te ndërtimi i institucioneve demokratike.

Për këtë arsye, deklarata e Keith Self duhet parë jo vetëm si një qëndrim individual, por si një tregues se çështja e integrimit euroatlantik të Kosovës vazhdon të ketë mbështetës të fuqishëm në Uashington. Kjo i jep Kosovës një mundësi të rëndësishme që, përmes vazhdimit të reformave, forcimit të institucioneve dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët, të afrohet edhe më shumë drejt objektivit strategjik të anëtarësimit në NATO”, ka shtuar ai.

Në fund, Rexhepi ka vlerësuar edhe punën e Qeverisë së Kosovës në këtë drejtim.

“Në këtë kontekst, Qeveria Kurti meriton vlerësim për faktin se ka ruajtur orientimin e qartë euroatlantik të vendit, ka investuar në forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe ka konsoliduar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës si një shtet demokratik, i besueshëm dhe i përkushtuar ndaj vlerave të Perëndimit”, ka përfunduar Rexhepi.

Të Ngjashme