Safet dhe Behar Bajri kanë depozituar një kallëzim në Prokurori ndaj deputetes së Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, pas deklaratave të saj publike se ishte kërcënuar me jetë së bashku me familjen nga anëtarë të familjes Bajri.
Në dokumentin e bërë publik, Bajrat i cilësojnë akuzat si të pavërteta dhe pa asnjë bazë provash, duke theksuar se pretendimet e ngritura ndaj tyre nuk mbështeten në fakte konkrete.
Ata argumentojnë se disa prej familjarëve të përmendur nga deputetja ndodhen aktualisht në burg dhe, sipas tyre, nuk kanë pasur mundësi të kryejnë veprimet për të cilat akuzohen.
Gjithashtu, në kallëzim pretendohet se Koçeku nuk ka paraqitur prova pranë organeve ligjzbatuese për të mbështetur deklaratat e saj. Për këtë arsye, Safet dhe Behar Bajri kërkojnë që Prokuroria të verifikojë rastin dhe të nisë procedurat përkatëse ligjore.
“I kërkoj Prokurorisë:
Të regjistrojë këtë kallëzim dhe të fillojë procedimin penal;
Të hetojë vërtetësinë e deklaratave dhe përgjegjësinë penale të deputetes Marjana Koçeku si dhe arsyet se përse ajo e ka bërë një deklaratë të tillë dhe cilët persona e kanë shtyrë;
Të sigurojë dhe ruajë menjëherë postimin origjinal në rrjete sociale dhe të dhënat e tij teknike, përpara fshirjes;
Të administrojë provat e sipërpërmendura dhe të më njoftojë për veprimet e kryera, sipas të drejtave të kallëzuesit”,- thuhet ndër të tjera në kallëzim.
Kujtojmë se vetëm pak ditë pasi u largua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe u vetëshpall deputete e pavarur, Marjana Koçeku zbuloi se është kërcënuar me jetën e familjarëve të saj.
Lajmin e bën me dije vetë ligjvënësja, e cila përmes një reagimi në rrjetet sociale i kundërpërgjigjet këtyre kërcënimeve, që sipas saj, vijnë nga “Bajrat e Shkodrës”.
Në një postim në Facebook, Koçeku bëri të ditur se grupi Bajri në Shkodër ka kërcënuar familjen e saj pasi ajo doli kundër Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.
“Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”- theksoi Koçeku.
