Është publikuar fotoja e Esma Meços, 44-vjeçares shqiptare nga Gramshi, e cila u vra me thikë nga bashkëshorti i saj 53-vjeçar, Bujar Meço, në Greqi.
Sipas raportimeve të mediave greke, Esma ishte përballur prej vitesh me dhunë në familje dhe kishte vendosur t’i jepte fund martesës. Ajo kishte caktuar edhe një takim me avokaten e saj për të nisur procedurat e divorcit, takim që ishte planifikuar të zhvillohej ditën e sotme.
Por një ditë më herët, 44-vjeçarja u vra në mënyrë tragjike. Ekzaminimi mjeko-ligjor ka zbardhur detaje të rënda mbi plagën fatale. Sipas gjetjeve, goditja me thikë në qafë ishte tepër e thellë dhe kishte prekur edhe mushkërinë e djathtë, duke shkaktuar një hemorragji të rëndë të brendshme dhe të jashtme.
Mjekët ligjorë kanë vlerësuar se vdekja ka ardhur brenda pak minutash, rreth 3 deri në 5 minuta pas plagosjes. Në trupin e viktimës nuk janë konstatuar dëmtime të tjera, ndërsa arma e krimit raportohet të ketë qenë një thikë rreth 20 centimetra e gjatë.
Avokatja Evangelia Kola, e cila përfaqësonte Esma Meçon, ka deklaruar për mediat greke se 44-vjeçarja kishte marrë vendimin për t’u divorcuar dhe se çifti nuk jetonte më së bashku.
Hetuesit po shqyrtojnë ende motivet e sakta të krimit. Dyshohet se xhelozia ka qenë një prej shkaqeve të konflikteve dhe dhunës së ushtruar ndaj gruas, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që kërkesa për divorc të ketë ndikuar në përshkallëzimin fatal të situatës.
Mediat greke raportojnë gjithashtu se 53-vjeçari merrte medikamente dhe kishte qenë më herët i shtruar në një klinikë psikiatrike, por ishte vlerësuar se nuk kishte më nevojë për trajtim spitalor.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat që çuan në vrasjen e 44-vjeçares shqiptare.
