Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar me 30 vjet burgim të akuzuarin A.G., i shpallur fajtor për vrasje të rëndë në një ngjarje të ndodhur më 3 shtator 2023, në lagjen “Arbanë” të Prizrenit.
Sipas aktgjykimit të Departamentit të Krimeve të Rënda, rasti kishte ndodhur rreth orës 18:45, në rrugën “Çerçiz Topulli”, pas një zënke të çastit ndërmjet të akuzuarit dhe viktimës B.M.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se, pas përleshjes verbale, i akuzuari ishte larguar drejt shtëpisë së tij, ku kishte marrë një armë automatike të tipit AK-47, për t’u kthyer më pas në vendin ku ndodhej viktima.
Sipas aktgjykimit, viktima ishte duke ecur së bashku me bashkëshorten, vajzën dhe dy persona të tjerë, kur i akuzuari kishte mbërritur me automjet dhe kishte shtënë me armë në drejtim të tij.
Gjykata ka konstatuar se, pasi e kishte qëlluar viktimën, i akuzuari i ishte afruar dhe kishte shtënë përsëri në drejtim të kokës së tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Viktima kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Në aktgjykim thuhet gjithashtu se, gjatë të shtënave, i akuzuari kishte vënë në rrezik jetën e bashkëshortes dhe vajzës së viktimës, si dhe të dy personave të tjerë që ndodheshin aty.
Për këto veprime, gjykata e ka shpallur A.G. fajtor për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe i ka shqiptuar dënim me 30 vjet burgim.
Pas shpalljes së aktgjykimit, gjykata ka vendosur vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të dënuarit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Ndërkaq, sipas njoftimit të gjykatës, më 16 maj 2024, A.G. ishte shpallur fajtor edhe për dy vepra të tjera penale që lidhen me të njëjtin rast: mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe asgjësimin apo dëmtimin e pasurisë. Për këto vepra, atij i ishte shqiptuar një vit burgim dhe një gjobë prej 500 eurosh.
