Lajme

Dënohet me 4 vjet burgim burri që shkaktoi aksidentin me vdekje në rrugën Mitrovicë-Prishtinë

Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, përmes kryetarit të trupit gjykues, Leotrim Gashi, pas mbajtjes së seancës dëgjimore publike lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë, në të cilën morën pjesë Prokurori i Shtetit, përfaqësuesi i palëve të dëmtuara, i pandehuri dhe mbrojtësi i tij, sot ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale ndaj të pandehurit N.S.

I pandehuri N.S. është shpallur fajtor për kryerjen e veprës “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”.

Sipas njoftimit, Gjykata ndaj të pandehurit ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër viteve i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, si dhe dënim plotësues: ndalimi i marrjes së lejes së vozitjes për kategorinë B, në periudhën prej dy viteve, i cili dënim do të ekzekutohet pas mbajtjes së dënimit me burgim, dënim ky i rekomanduar me marrëveshjen për pranimin e fajësisë, të arritur në mes Prokurorisë, të pandehurit dhe mbrojtësit të tij, të cilën marrëveshje e kanë mbështetur të gjitha palët në seancë.

Kurse të dëmtuarit e këtij aksidentit, për realizimin e kërkesës pasurore juridike janë udhëzuar në kontest të rregullt juridiko – civil.

Kujtojmë se më 23 korrik 2026, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, i pandehuri N.S., duke drejtuar automjetin pa patentë shoferi dhe nën ndikimin e alkoolit, ka shkaktuar aksident trafiku, në atë mënyrë që, derisa ishte duke lëvizur në krahun dhe shiritin e kundërt të rrugës, ka goditur një automjet që ishte duke lëvizur në drejtimin e rregullt.

Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja M.V., ndërsa tre pasagjerë të tjerë kanë pësuar lëndime trupore. Po ashtu, janë shkaktuar dëme materiale në automjete dhe në mbrojtëset e rrugës.

Të Ngjashme