Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar me shtatë vjet burgim një të akuzuar për vjedhje të rëndë.
Akgjykimi ndaj tij është shpallur të hënën, pasi Sh.H është gjetur fajtor se bashkë me një shtetas bullgar kanë kryer vjedhje në një argjendari në Prizren, pasi paraprakisht ishin pajisur me maska të zeza dhe mjete të tjera.
Sipas gjykatës, rasti ka ndodhur më 12 janar të vitit 2025, pas orëve të mesnatës.
“Duke bashkëvepruar me një të pandehur tjetër V.G. (Shtetas bullgar), të pandehurit të pajisur me maska, me rroba të zeza dhe të pajisur me mjete të përshtatshme, me përdorim të forcës fizike dhe mjete të përshtatshme, hapin derën e lokalit, duke depërtuar brenda në lokalin e argjendarisë, duke shkuar në vendin ku gjendet kasaforta të cilën arrin ta dëmtojnë, duke arritur të hapin të njëjtën dhe pas hapjes nga e njëjta arrin të marrin 3 (tre) kg ari 14 karat, 1 (një) pesë lirë, 2 (dy) lira, hallka të dorës, 1 (një) kg argjend me pastërti 925 dhe 1 (një) peshore, të cilat i vendosin në çantë dhe pastaj largohen nga vendi i ngjarjes me të cilat veprime të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material në shumë prej195.000 € (njëqindenëntëdhjetë e pesë mijë euro)”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, sipas njoftimit, në të njëjtën datë dhe pas mesnatës, në Prizren, tentojnë të marrin pasurinë e të dëmtuarit, në një lokal të argjendarisë.
“Ashtu që të pandehurit të pajisur me maska, me rroba të zeza dhe të pajisur me mjete të përshtatshme, fillimisht bëjnë deaktivizimin e alarmit dhe pasi bëjnë, me përdorim të forcës fizike dhe mjete të përshtatshme dëmtojnë hallkat (mbajtësit) e drynit si dhe derën e aluminit, duke e hapur të njëjtën, përmes të cilës arrin të hynë brenda në lokal, të cilët me përdorim të forcës fizike dhe mjete të përshtatshme për hapjen e kasafortës, përpiqet ta hap, pasi nuk arrin të hap kasafortën, menjëherë largohen nga vendi i ngjarjes, me të cilat veprime të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material”, thuhet në njoftim.
Përveç dënimit me shtatë vjet burgim, i akuzuari është gjobitur edhe me dy mijë euro.
Kurse, është obliguar që të dëmtuarit t’i kompensohet dëmi prej 195 mijë eurosh.
Në të kundërtën, gjykata ka paraparë konfiskimin e pasurisë së të akuzuarit, në vlerë të barasvlefshme me dëmin e shkaktuar.
“Pasuritë që janë ngrirë dhe të cilat duhet të shiten nga AAPSK, janë të listuar si më poshtë: 1 apartament në sipërfaqe prej 117 m2, 1 automjeti i markës Renault/ “Megane”, 1 automjeti i markës “BMW/1K4”, 1 automjeti i markës “BMW/Z3”,1 automjet i markës “STELS/650-ST Traktor”, shkruhet në njoftim.
