Lajme

“Deshi ta poshtërojë LDK-në?”/ Geci zbulon prapaskenat e ofertës së Kurtit dhe ‘godet’ ashpër Osmanin

Pas deklaratave të ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me ofertën e Albin Kurtit për një marrëveshje politike me LDK-në, ka reaguar ashpër Halil Geci.

Ai ka kundërshtuar pretendimin e Osmanit se LDK-ja është poshtëruar nga oferta e Vetëvendosjes, duke e akuzuar atë për përgjegjësi në dobësimin e partisë dhe për përplasje të vazhdueshme politike me Kurtin dhe figura të tjera të LDK-së.

Në reagimin e tij në Facebook, Geci kritikoi ashpër Osmanin dhe Abdixhikun, duke pretenduar se LDK-ja nuk kishte pasur vullnet real për ta pranuar ofertën e Kurtit, përcjell “Bota sot”.

Shkrimi i plotë

VJOSA OSMANI: NA TREGON TI KUSH MË SHUMË SE TI E KA POSHTËRUAR LDK-NË?!

Vjosa Osmani paska thënë se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje deshën ta poshtërojnë LDK-në me propozimin për marrëveshjen politike.

Ani, kur sot Rrushen nuk e pyet kush se nga i ka dajtë, ajo gjen qime në tlynë. E tash po i vika keq pse Kurti e quan Abdixhikun “mik”, kur vetëm para dy javësh, sipas Rrushes, Kurti e krahasonte me “liderët e fiseve”.

Por pyetja është e thjeshtë:

Kush më shumë se ti e ka poshtëruar LDK-në?

As dje, as sot e as nesër nuk do të mund ta poshtërojë askush më shumë se ti një parti së cilës dikur i takove.

Ti u bëre pjesë e çdo beteje kundër Kurtit dhe Gërvallës. U përpoqe t’i poshtëroje, t’i rrëzoje dhe nuk leje gjë pa thënë kundër tyre. Kur ike nga LDK-ja, pas teje erdhën edhe ata që më parë nuk të njihnin siç të njihja unë. I more mbi 300 mijë vota dhe mendove se ato vota ishin pronë personale.

Nuk le një zyrë, një studio televizive apo një podium politik, brenda apo jashtë vendit, pa folur keq për Kurtin dhe Gërvallën, me një qëllim të vetëm: që kaçurrelat e tua politike të dukeshin mbi të gjithë politikanët e tjerë.

U largove nga Kurti me tradhti, u ktheve në LDK me tradhti dhe mendove se pas teje do të ishin sërish 300 mijë votues. Por politika nuk funksionon kështu.

Ti ke kaluar nga njëra anë në tjetrën dhe ke hyrë në përplasje me njerëz që dikur të dhanë besimin e tyre.

Ti i ke tradhtuar ish-presidentin Sejdiu dhe Isa Mustafën. U hype në qafë atyre që dikur ta hapën rrugën politike dhe pastaj mendove se të njëjtën gjë mund t’ia bëje edhe Albin Kurtit.

Por nuk të eci.

Sot, kur dole para popullit, dole e lehtë dhe e rrafshët si një zog mali, me emrin “vremçi”.

Vremçi e ka gojën e madhe, trupin e vogël dhe mendjen e mban te majat e lisave. Por kur mbi të bie rrëbeshi i stuhisë, shpesh gjendet i ngordhur poshtë lisit.

Edhe në politikë, kur stuhia të godet, nuk mjafton goja e madhe për të mbijetuar.

Dredhitë e dy dadave.

Dy “dadat”, siç ju quajnë votuesit rugovistë, Rrushja dhe Lumja, kanë bërë dhe po bëjnë luftë për karrigen, vetëm që të mos e lëshojnë kreun e LDK-së; me dredhi po përpiqen ta mbajnë ende atë post. Këtë duhet ta kuptojnë mirë rugovistët.

Kurti dhe të gjithë ata që merren me politikë e dinë se politika jote dhe e Lumirit ishte t’ia linte “ngilen” VV-së, me qëllim që t’u thoshit votuesve tuaj: “Ne deshëm, por VV-ja nuk deshi.”

Qëllimi juaj ishte të shkonit në takime, por pa pasur vullnet të vërtetë për të bërë koalicion. Në këtë mënyrë, ju të dyja “dadat” do ta mbanit kreun e partisë, ndërsa njëkohësisht do të përpiqeshit t’i bashkonit fraksionet brenda LDK-së, në mënyrë që të mos humbnit kontrollin mbi partinë.

Qëllimi i dy “dadave”, Rrushes dhe Lumës, duket se është i njëjtë: të mos ia lëshojnë kreun e partisë askujt tjetër, pavarësisht humbjeve të njëpasnjëshme!

Për ata që ju njohin, nuk është edhe aq me rëndësi se cila prej jush fiton. Me rëndësi është se si do t’i bindni të tjerët të ecin pas jush.

Dhe pikërisht ti, Dada Rrushe, ke pasur një rol të madh në dobësimin e LDK-së dhe në shndërrimin e saj në një parti që sot lufton për ta ruajtur peshën që dikur kishte.

Por atë peshë që dikur e kishte LDK-ja, nuk mund ta ngritni ju, rrënuesit dhe humbësit e saj.

Çfarëdo oferte që t’ju ketë dhënë Kurti, ju nuk e kishit ndërmend të bënit koalicion. Këtë ua kam thënë të gjithëve edhe më herët ,dhe kështu ndodhi.

PDK-ja doli më fer dhe e tha hapur:

“Nuk do të bëjmë koalicion me VV-në, pikë.”

Ju, ndërkohë, bëtë sikur po negocionit, ndërsa qëndrimi politik, në thelb, ishte vendosur më herët.

Prandaj, mos e quani sot “poshtërim” një ofertë që, në të vërtetë, nuk e kishit ndërmend ta pranonit.

Sepse, para se të akuzoni të tjerët se po e poshtërojnë LDK-në, duhet t’ia bëni vetes një pyetje:

Kush e poshtëroi dhe e solli LDK-në deri këtu?

Flasim dhe dëgjohemi.

Koha do ta tregojë!

Të Ngjashme