Lajme

Dështimi i zgjedhjes së Presidentit e çon vendin në zgjedhje

Pas dështimit për të zgjedhur Presidentin e Republikës së Kosovës brenda afatit kushtetues dhe mungesës së kuorumit në Kuvend, vendi është përfshirë në një krizë institucionale që ka çuar drejt shpërndarjes së Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të cilat pritet të mbahen brenda 45 ditëve.

Procesi i dështuar për zgjedhjen e kreut të shtetit ka shkaktuar reagime të ashpra ndërmjet partive politike, të cilat kanë shkëmbyer akuza për bllokim, mungesë dialogu dhe përgjegjësi institucionale.

Situata e krijuar pritet të çojë në një fazë të re politike, ku qytetarët do të vendosin përmes votës për përbërjen e re të institucioneve të vendit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka akuzuar opozitën për bllokim të procesit të votimit për presidenten e re, duke thënë se kandidatura e propozuar nga Vetëvendosje, Feride Rushiti, kishte mbështetje të mjaftueshme por u pamundësua nga mungesa e kuorumit.

“Doktoresha Feride Rushiti i ka votat për presidente, ajo çfarë nuk ka Kosova është kuorumi në Kuvend. Opozita me sjelljen e saj jo shtetërore ka pamundësuar konsumimin e raundit të parë”, ka deklaruar Kurti.

Ai shtoi se zgjedhja e saj do të ishte “një mundësi për funksionim demokratik dhe kompletim të institucioneve shtetërore”.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se me kalimin e afatit është shmangur një shkelje serioze kushtetuese dhe se procesi i imponuar ka dështuar.

“Republika u mbrojt sot. Tani është radha e qytetarëve”, thuhet në reagimin e PDK-së, e cila i ka bërë thirrje institucioneve që të garantojnë zgjedhje të lira dhe demokratike.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes kryetarit Lumir Abdixhiku, ka thënë se vendi po shkon në zgjedhje për shkak të mungesës së konsensusit politik dhe qasjes së pushtetit.

Po shkojmë në zgjedhje sepse pushteti me 51% kërkoi nënshtrim. Ne zgjodhëm Republikën,” ka deklaruar Abdixhiku.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kritikuar ashpër procesin, duke e quajtur situatën “manipulim të opinionit publik”.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se mungesa e dialogut politik ka çuar në krizë institucionale.

“Kjo nuk është gjë tjetër veçse bartje e fajit nga njëra palë në tjetrën. Nuk ka pasur diskutim të sinqertë politik,” u shpreh Tahiri.

Me shpërndarjen e Kuvendit dhe dështimin për zgjedhjen e Presidentit brenda afateve kushtetuese, Kosova hyn në një cikël të ri zgjedhor.

Të Ngjashme