Elemente të reja dhe dëshmi tronditëse hedhin dritë mbi ditët e fundit përpara vrasjes në Nea Smyrni, duke zbuluar lëvizjet e 48-vjeçarit, kërcënimet që dyshohet se i kishte bërë partneres së tij 45-vjeçare, por edhe atë që i tha vajzës së tij pak përpara se të shkonte në shtëpinë e gruas.
Sipas MEGA-s, persona nga rrethi familjar si i viktimës, ashtu edhe i 48-vjeçarit flasin për herë të parë dhe përshkruajnë momentet që i paraprinë tragjedisë, ndërsa një bisedë e autorit me vëllain e 45-vjeçares, disa ditë përpara krimit, sjell të dhëna të reja për çështjen.
Kërcënimet që kishte marrë 45-vjeçarja
Të afërmit e të dyja palëve mbeten të tronditur nga ajo që ndodhi.
“Vajza është tronditur jashtëzakonisht shumë. Nuk e priste kurrë që babai i saj të bënte diçka të tillë. Pyet veten se si do të jetojë me këtë damkë, që ta them kështu. Sepse, në fund të fundit, ajo mbetet fëmija i një vrasësi”, thotë për Mega e afërmja e 48-vjeçarit.
Nga ana tjetër, kunata e 45-vjeçares pretendon se kohët e fundit 48-vjeçari dyshohet se e ndiqte vazhdimisht.
“Kohët e fundit, kudo që shkonte, çfarëdo që bënte, e gjente përpara saj”, thotë ajo.
Sipas denoncimeve, kërcënimet ndaj 45-vjeçares ishin bërë gjithnjë e më të shpeshta. Madje, sipas kunatës së viktimës, 48-vjeçari dyshohet se i kishte dërguar një fotografi me armë, të shoqëruar me kërcënime si për jetën e tij, ashtu edhe për të sajën.
“I kishte dërguar një fotografi me armën në kokë, duke i thënë se do të vetëvritem dhe do të të vras dhe do të vetëvritem. Të gjithë i sugjeruam të shkonte në polici. Nuk e di për çfarë arsye nuk shkoi”, thotë ajo.
45-vjeçarja kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes së saj me 48-vjeçarin, kur mësoi se ai ishte i martuar dhe kishte një vajzë 19-vjeçare. Që nga ai moment, sipas dëshmive, sjellja e tij dyshohet se ndryshoi dhe jeta e gruas u bë veçanërisht e vështirë.
“Prej njëfarë kohe, nga sa më tha bashkëshortja e tij, ai nuk ishte edhe aq mirë. Pra, mesa duket, ekzistonte kjo përplasje që kishin në marrëdhënien e tij me viktimën”, vëren e afërmja e tij.
Takimi që nuk u realizua kurrë me vëllain e 45-vjeçares
Disa ditë përpara vrasjes, 48-vjeçari dyshohet se u përpoq të takohej me vëllain e 45-vjeçares, me qëllim, siç pretendonte, të diskutonin për atë që kishte ndodhur mes tij dhe motrës së tij.
Dialogu që sipas Mega-s, kishte ndodhur më parë ishte ky:
48-vjeçari: “Dua të takohemi për një kafe, të bisedojmë.”
Vëllai i 45-vjeçares: “Të bisedojmë për çfarë?”
48-vjeçari: “Për ato që po ndodhin me motrën tënde.”
Vëllai i 45-vjeçares: “Nuk mendoj se ka nevojë të takohemi ne të dy…”
48-vjeçari: “Mirë mor mik, nuk do të vritemi, një kafe do të pimë.”
Vëllai i 45-vjeçares: “Më mirë lëre. Ta lëmë me kaq.”
Fjalët e fundit drejtuar vajzës së tij
Siç rezulton nga dëshmitë, lëvizjet e 48-vjeçarit natën përpara krimit duket se tregojnë se ai e kishte përgatitur veprimin e tij.
Sipas së afërmes së tij, përpara se të nisej drejt shtëpisë së 45-vjeçares, ai u takua me vajzën e tij dhe i foli në një mënyrë që e bëri atë të kuptonte se ndoshta ky do të ishte takimi i tyre i fundit.
“U takua me vajzën e tij dhe i tha se të dua shumë. Ti je jeta ime. Por më ke lënduar sepse nuk më ke mbështetur. Doja të ishe pranë meje dhe mund të mos më shohësh më. Do të jetë hera e fundit që më sheh.”
Më pas, ai u kthye në shtëpinë e tij, ku zgjoi bashkëshorten dhe i dha para, duke i kërkuar njëkohësisht të kujdesej për vajzën e tyre.
“U kthye në shtëpinë e tij në orën katër. Zgjoi gruan. I thotë, eja këtu. La disa para dhe i thotë të kujdeseni dhe dua të ma ruash fëmijën, fëmijën si sytë e ballit. Shpërtheu në lot, u ngrit dhe u largua”, përshkruan ajo.
Pak më vonë, 48-vjeçari dyshohet se shkoi jashtë pallatit ku banonte 45-vjeçarja dhe priti që ajo të dilte. Kur ajo u shfaq, e zuri në befasi dhe, sipas informacioneve, e detyroi të gjunjëzohej përpara se ta qëllonte me armë.
“Fytyra e saj ishte e mbuluar me gjak”
Një banor i zonës përshkruan për Mega momentet menjëherë pas të shtënave, të cilat, siç thotë, nuk do t’i harrojë.
“Fillimisht një ulërimë gruaje dhe një tjetër e shtënë. Tre (gjithsej) dhe më pas, pas dy minutash, e fundit. Pas të katërtës kaluan pesë minuta. Thoshim çfarë të bëjmë? Më pas e kuptuam. E katërta u dëgjua shumë fort te dera ime. Teksa zbres poshtë, burri ishte me fytyrë përtokë, ndërsa gruaja ishte e shtrirë me shpinë. Fytyra e saj ishte e mbuluar me gjak.”
Sipas të dhënave të çështjes, 48-vjeçari përdori një armë që dyshohet se i përkiste Gardës Presidenciale shqiptare dhe të cilën e mbante në mënyrë të paligjshme. Pas vrasjes së 45-vjeçares, ai i dha fund jetës.
Gruaja, sipas dëshmive nga njerëz të rrethit të saj, kishte shprehur frikën për sjelljen e 48-vjeçarit, ndërsa kishte shkuar deri aty sa të ndryshonte edhe bravën e shtëpisë së saj. Megjithatë, këto masa nuk ishin të mjaftueshme për të parandaluar tragjedinë.
“Mamaja ime ishte e shqetësuar për sjelljen e tij”
Vajza e 45-vjeçares dyshohet se u tha autoriteteve se ishte në dijeni të lidhjes së nënës së saj me 48-vjeçarin, por edhe se gruaja kishte vendosur të ndahej prej tij.
Sipas Mega-s, siç deklaroi ajo, nëna e saj kishte shprehur shqetësim për sjelljen e tij, pasi, sipas fjalëve të saj, ai ishte tepër xheloz dhe i krijonte vazhdimisht probleme.
“E dija se mamaja ime kishte një lidhje kohët e fundit. Por më kishte thënë se ishte ndarë nga fundi i shkurtit. Ishte e shqetësuar për sjelljen e këtij burri, sepse i krijonte vazhdimisht probleme. Më kishte thënë se ishte tepër xheloz ndaj saj. Nuk isha në shtëpi atë ditë. Ndodhesha me xhaxhain tim në Agrinio. Atij, me sa duket, i tregonte më shumë gjëra, që të mos më shqetësonte mua, nuk e di, jam në shok.”
Vajza e 48-vjeçarit: “Nuk mund ta anashkaloj faktin se u bë vrasës”
E tronditur është edhe vajza e 48-vjeçarit, e cila duhet të përballojë humbjen e babait të saj, por edhe faktin se ai i mori jetën një gruaje.
Duke folur për MEGA-n, ajo përshkroi se, pavarësisht humbjes së babait të saj, nuk mund ta injorojë veprimin e tij dhe pasojat që ai pati për familjen e 45-vjeçares.
“Jam e tronditur nga e gjithë kjo ngjarje, nuk mund ta besoj se babai im e bëri këtë. Është babai im dhe do të më mungojë, humba babanë tim, por nga ana tjetër nuk mund ta anashkaloj faktin se ka bërë diçka të keqe, se u bë vrasës. I mori jetën një njeriu dhe i mori nënën një vajze të së njëjtës moshë me mua.
Unë jam shumë keq psikologjikisht për gjithë këtë situatë, nuk mbaj përgjegjësi për asgjë dhe bashkëndiej edhe dhimbjen e vajzës tjetër. Në thelb, ne jemi viktimat. Do të doja vërtet që e gjithë kjo histori të përfundonte këtu, të qetësohemi dhe të respektoni dhimbjen tonë dhe të vajtojmë të gjithë, secili në mënyrën e vet, njerëzit që duam.”
