Dhjetë shtete, përfshirë të preferuarin e fansave Finlanda, siguruan kualifikimin në finalen e Eurovision Song Contest pas gjysmëfinales së parë të mbajtur në Vjenë të Austrisë, ndërsa pesë shtete u eliminuan.
Izraeli u kualifikua me këngëtarin Noam Bettan dhe baladën rok “Michelle”, ndonëse performanca e tij u shoqërua me protesta në sallë. Në finale kaluan edhe Greqia, Serbia, Moldavia, Kroacia, Polonia, Lituania, Suedia dhe Belgjika. Ndërkohë, Estonia, Gjeorgjia, Mali i Zi, Portugalia dhe San Marino mbetën jashtë finales.
Edicioni i 70-të i Eurovisionit po zhvillohet nën masa të forta sigurie dhe në atmosferë tensionesh politike. Pesë shtete – Spanja, Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Islanda – bojkotuan garën në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit për shkak të luftës në Gaza.
Unioni Evropian i Transmetimeve refuzoi ta përjashtojë Izraelin, por ka ashpërsuar rregullat e votimit pas pretendimeve për manipulime në edicionet e kaluara. Organizatorët presin protesta pro-palestineze dhe pro-Izraelit gjatë javës së Eurovisionit, raporton AP.
