Parlamenti Europian ka dalë me një deklaratë të ashpër kundër institucioneve dhe qeverisë shqiptare për dhunën e ushtruar ndaj të rinjve gjatë protestave të ditëve të fundit. Me një deklaratë tyë sigluar nga Kryetari i grupit të dialogut Shqipëri-BE dhe Raportuesi për Shqipërinë, PE dënon dhunën e ushtruar ndaj të rinjve dhe mosdëgjimin e kërkesës së tyre.
“Shprehim shqetësim serioz në lidhje me raportet për përdorim të tepruar të forcës policore kundër protestuesve. U bëjmë thirrje autoriteteve të përdorin përmbajtje. Gjithashtu u bëjmë thirrje organeve përkatëse të bëjnë çmos për të përcaktuar përgjegjësinë individuale për çdo akt dhune, përfshirë përdorimin e tepruar të forcës”
Parlamenti Europian thekson se e drejta për të protestuar është një liri themeleore e të drejtave të njeriut garantuar nga çdo konventë. E për më tepër thekson se kur këto protesta dhe kërkesa vijnë nga të rinjtë, autoritetet duhet t’i dëgjojnë pasi varet e ardhmja e tyre dhe e vendit.
Ne nënvizojmë se e drejta e lirisë së tubimit dhe shprehjes paqësore gëzon mbrojtje si nga Karta e BE-së për të Drejtat Themelore ashtu edhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Protestuesit – në këtë rast, të rinjtë – kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre, veçanërisht për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e tyre. Prandaj, ne i nxisim autoritetet të mbrojnë ushtrimin e lirisë së tubimit, duke përfshirë edhe protestën paqësore.
Në deklaratë Parlamenti Europian dënon dhunën në protestë dhe kërkon gjetjen e zgjidhjes me qëllim ndalimin e agravimit të situatës dhe dëmit të institucioneve publike e private, e gjithashtu thekson se sundimi i ligjit është një nga kushtet themelore të integrimit në BE.
Respekti për sundimin e ligjit mbetet kriteri kryesor dhe kushti i detyrueshëm për përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
