Lajme

Maqedonci takon ambasadorin e ri të Francës, diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit në mbrojtje

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, të cilit i ka uruar mirëseardhje dhe suksese në mandatin e tij.

Përmes një njoftimi në Facebook, Maqedonci bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës në fushën e mbrojtjes.

Sipas tij, ambasadori Huchet e ka uruar për mandatin e ri dhe ka shprehur gatishmërinë që të kontribuojë në hapjen e kanaleve të bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes së Francës.

Maqedonci ka theksuar se Kosova synon ta avancojë partneritetin me Francën në fushën e trajnimeve, shkollimit ushtarak dhe industrisë së mbrojtjes.

Ai ka bërë të ditur se ambasadorin e ka njoftuar edhe për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Programin e Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse, si dhe avancimin e kapaciteteve për prodhimin e municioneve.

Ministri Maqedonci ka vlerësuar se Franca mbetet aleat dhe partner i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, duke theksuar synimin për thellimin e mëtejmë të këtij partneriteti, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Të Ngjashme