Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar pas pamjeve të ngjarjeve të regjistruara në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, duke shprehur shqetësimin për përplasjet mes protestuesve dhe policisë në ambientet e saj.
Në një reagim publik, Kisha thekson se vendet e shenjta nuk duhet të kthehen në hapësira konflikti dhe dhune, pasi janë vende lutjeje dhe predikimi të paqes.
“Katedralja ‘Ngjallja e Krishtit’ është vend i shenjtë lutjeje, vend ku kryhen shërbesat e shenjta dhe ku predikohet kultura e paqes”, thuhet në reagim.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u ka bërë thirrje palëve të distancohen nga dhuna dhe të gjejnë hapësirën e nevojshme për dialog, duke kërkuar respektimin e ambienteve të saj të shenjta.
“Bëjmë edhe njëherë thirrje për distancim nga dhuna dhe gjetjen e hapësirës së dialogut”, përfundon reagimi i datës 19 tetor 2026.
REAGIMI
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, pasi pa pamjet e ngjarjeve në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, shpreh shqetësimin dhe bën thirrje të respektohen vendet e saj të shenjta. Ato asnjëherë nuk janë hapësira konflikti e përplasjeje dhe nuk i pranojnë ato.
Katedralja “Ngjallja e Krishtit” është vend i shenjtë lutjeje, vend ku kryhen shërbesat e shenjta dhe ku predikohet kultura e paqes.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë bën dhe njëherë thirrje për distancim nga dhuna dhe gjetjen e hapësirës së dialogut.
Tiranë, më 19 tetor 2026
