Lajme

Dialogu paszgjedhor si zgjidhje politike/ Analistët komentojnë deklaratën e Kurtit për bashkëpunim

Pas përfundimit të zgjedhjeve të 7 qershorit, vëmendja është përqendruar te hapat që pritet të ndërmarrin partitë politike për formimin e institucioneve dhe funksionimin e tyre. 

Në këtë kontekst, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se mbetet i hapur për dialog dhe bashkëpunim me partitë e tjera politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Kurti sinjalizoi gatishmëri për diskutime me subjektet politike në funksion të formimit të institucioneve të reja dhe sigurimit të stabilitetit qeverisës, duke theksuar nevojën për komunikim ndërpartiak në fazën paszgjedhore.

Sipas tij, çdo bashkëpunim i mundshëm do të varet nga programi qeverisës dhe marrëveshjet që mund të arrihen mes palëve politike.

Ky paralajmërim i kryeministrit në detyrë hap diskutimin mbi mundësinë e bashkëpunimit ndërpartiak dhe ndikimin që mund të ketë në zhvillimet e ardhshme politike në Kosovë.

Aliçkaj: Populli është lodhur me zgjedhje, është koha për zgjidhje

Në lidhje me këtë deklaratë të Kurtit, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli veprimtari nga SHBA, Agim Aliçkaj.

Ai vlerësoi se zgjedhjet e 7 qershorit ishin të lira dhe demokratike, duke theksuar se qytetarët i dhanë për herë të tretë besimin kryeministrit Albin Kurti dhe koalicionit qeverisës. 

Sipas tij, opozita duhet të pranojë rezultatin, t’ia mundësojë partisë fituese formimin e qeverisë dhe të ushtrojë opozitë konstruktive. Ai kritikoi partitë opozitare për pretendimet se kanë fituar, duke theksuar se fitues është ai që merr më shumë vota.

Image
Agim Aliçkaj.

Zgjedhjet e 7 qershorit, edhe pse të panevojshme dhe të padëshirueshme nga populli, ishin të organizuara mirë, të lira dhe demokratike. Vlera kryesore e tyre ishte mesazhi që votuesit ua dërguan partive politike: ka ardhur koha të lirohen nga iluzionet dhe të përballen me realitetin. Ka ardhur koha që partitë politike të ofrojnë zgjidhje, jo zgjedhje.

Realiteti është se populli, me votën e vet, e shprehu për herë të tretë dëshirën që t’ia vazhdojë mandatin qeverisës kryeministrit Kurti dhe koalicionit Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe PSHDK. Opozita duhet të pajtohet me këtë realitet, t’ia mundësojë partisë fituese qeverisjen dhe të përgatitet për zgjedhjet e rregullta, duke bërë opozitë konstruktive. 

Nga deklaratat e përfaqësuesve të partive opozitare PDK, LDK dhe AAK, si dhe nga mediat pranë tyre pas zgjedhjeve, është e vështirë të kuptohet se kush fitoi dhe kush humbi. Ata mundohen ta ngushëllojnë veten dhe t’i mashtrojnë të tjerët duke thënë se “kanë fituar”, sepse Kurti ka marrë më pak vota sesa në zgjedhjet e kaluara. Por fitues është ai që merr më shumë vota; të tjerët janë humbës”, theksoi ai.

Aliçkaj e cilësoi shpresëdhënëse gatishmërinë e kryeministrit Albin Kurti për dialog me partitë tjera, duke theksuar se si fitues i zgjedhjeve ai duhet të marrë iniciativën për bisedime dhe krijimin e stabilitetit politik. 

Sipas tij, Kurti dhe liderët e tjerë politikë duhet të distancohen nga gjuha fyese dhe përçarëse, ndërsa opozita duhet të hyjë në dialog me mirëbesim dhe të respektojë rezultatin zgjedhor. Ai shtoi se përpjekjet për largimin e Kurtit nga pushteti nuk dhanë rezultat dhe se mbështetja e Vjosa Osmani nuk solli ndryshime të mëdha për LDK-në.

“Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë festimit të fitores, se është i gatshëm për dialog me partitë e tjera, është shpresëdhënëse. Si fitues i zgjedhjeve, atij i takon të bëjë hapin e parë për bisedime të sinqerta, afrim me opozitën dhe krijim të koalicioneve, varësisht nga përqindja e votave të fituara, me qëllim të krijimit të stabilitetit politik në interes të funksionimit të shtetit.

Do të ishte mirë që z. Kurti t’i ftonte i pari të gjithë ata që merren me shpifje, sharje dhe ofendime që të përmbahen, sepse nuk fitojnë asgjë me këtë sjellje. Të njëjtën gjë duhet ta bëjnë menjëherë pas tij edhe liderët e partive të tjera politike. Sidomos të ulëta dhe të rrezikshme janë ofendimet ndaj liderëve të zgjedhur nga populli, sepse përmes tyre ofendohet dhe dëmtohet edhe vetë shteti.

Do të ishte mirë që opozita ta marrë seriozisht gatishmërinë e z. Kurti dhe të hyjë në dialog me mirëbesim, bazuar në rezultatin përfundimtar pas numërimit të të gjitha votave. Ata që shpresuan se oligarkët dhe faktorë të jashtëm do t’i ndihmonin për ta larguar kryeministrin Kurti nga qeverisja, dolën të zhgënjyer. LDK-në nuk e ndihmoi dot as ish-presidentja Osmani; efekti i saj ishte vetëm një rritje prej 3–4 për qind”, deklaroi ai.

Në fund, Aliçkaj potencoi se zgjedhjet dhanë një mesazh të qartë se partitë politike duhet të jenë më pranë qytetarëve dhe të respektojnë vullnetin e tyre. 

Ai kritikoi arsyetimet e opozitës për humbjen, duke i cilësuar nënçmuese pretendimet se votuesit janë mashtruar nga Albin Kurti.

“Mësimi i qartë që del nga këto zgjedhje është se partitë politike duhet të afrohen me popullin, jo ta luftojnë atë. Arsyetimet e kota se populli dhe mërgata janë të mashtruar nga Albin Kurti janë nënçmuese. Askush nuk mund ta fitojë një konflikt me popullin. Mospranimi i fajit për humbje i çon partitë politike në humbje të tjera.

E vërteta është se populli ka arsye të frikësohet nga kthimi i një qeverisjeje të korruptuar të opozitës, nga përulja ndaj ndërkombëtarëve dhe nga lëshimet ndaj agresorit serb, duke rrezikuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Ata që mendojnë se mund të formojnë koalicion dhe të qeverisin me organizatën armiqësore Lista Srpska, mund vetëm ta ëndërrojnë marrjen e pushtetit.

Shumica e popullit, në këtë moment, ka besim vetëm te kryeministri Albin Kurti për ta udhëhequr shtetin. Përpjekjet e opozitës për ta paraqitur atë si antiamerikan dhe autokrat janë të mjera dhe të kota. Populli nuk mund të mashtrohet dhe as të nënshtrohet nga askush. Pushteti fitohet me programe dhe punë të mira, jo me sharje, bojkote dhe bllokada” – përfundoi Aliçkaj për gazetën.

Jakupi: Deklarata e Kurtit mund të shihet si një hap që hapë derën për zgjidhje politike më gjithëpërfshirëse

Edhe analisti Zejnullah Jakupi vlerëson se deklarata e Albin Kurtit për bashkëpunim me partitë e tjera është një sinjal pozitiv për stabilitetin institucional. 

Sipas tij, gatishmëria e LDK-së për dialog hap mundësinë e një marrëveshjeje qeverisëse pas zgjedhjeve, e cila mund të përfshijë edhe dakordimin për zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e krizave politike.

Image
Zejnullah Jakupi

“Deklarata e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për gatishmëri për dialog dhe bashkëpunim me partitë e tjera politike pas zgjedhjeve, shihet si një sinjal i rëndësishëm politik në një periudhë kur vendi ka nevojë për stabilitet institucional dhe funksionim normal të institucioneve. Duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit, Kurti tregon se është i vetëdijshëm për nevojën e ndërtimit të urave politike përtej dallimeve partiake, veçanërisht nëse rezultati zgjedhor nuk i jep një force politike mundësinë për të qeverisur e vetme.

Në këtë kontekst, një element i rëndësishëm është fakti se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim institucional, duke mos e përjashtuar dialogun për çështje me interes shtetëror. Kjo krijon hapësirë që pas zgjedhjeve të zhvillohen negociata serioze për një marrëveshje të mundshme qeverisëse ndërmjet dy subjekteve, nëse ekziston vullneti politik nga të dyja palët.

Një marrëveshje e tillë nuk do të kufizohej vetëm në formimin e qeverisë, por mund të përfshinte edhe çështje të tjera të rëndësishme institucionale, si zgjedhja e presidentit të ardhshëm të vendit. Duke qenë se zgjedhja e presidentit kërkon një mbështetje më të gjerë parlamentare, një dakordim paraprak mes partive kryesore do të ndihmonte në shmangien e krizave politike dhe institucionale që Kosova i ka përjetuar në të kaluarën”, u shpreh ai.

Jakupi për “Bota sot” thekson se një bashkëpunim i mundshëm mes LVV-së dhe LDK-së varet nga gatishmëria për kompromis dhe tejkalimin e dallimeve politike.

“Megjithatë, realizimi i një bashkëpunimi të tillë varet nga gatishmëria e palëve për kompromis, nga programi qeverisës që do të negociohet dhe nga mënyra se si do të adresohen dallimet politike që kanë ekzistuar ndër vite. Nëse dialogu shndërrohet në marrëveshje konkrete, atëherë ai mund të shënojë jo vetëm krijimin e një qeverie më stabile, por edhe sigurimin e një konsensusi më të gjerë për zgjedhjen e presidentit dhe për avancimin e agjendave kryesore shtetërore.

Prandaj, deklarata e Kurtit mund të shihet si një hap që hap derën për zgjidhje politike më gjithëpërfshirëse, ndërsa oferta e LDK-së për bashkëpunim mund të shërbejë si bazë për ndërtimin e një partneriteti që do t’i jepte vendit stabilitet më të madh politik dhe institucional në vitet e ardhshme” – përmbylli ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme