Lajme

Dibrani takim lamtumirës me shefin e EULEX-it, Barbano

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka pritur në takim lamtumirës Shefin e Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

Gjatë takimit, Dibrani e falënderoi Barbano për bashkëpunimin e deritanishëm, duke theksuar se falë këtij partneriteti Shërbimi Korrektues i Kosovës ka arritur avancim në nivel ndërkombëtar.

Ai përmendi edhe vlerësimet dhe çmimet ndërkombëtare të fituara nga institucioni, përfshirë çmimin e ekselencës nga International Corrections and Prisons Association për projektin “Rehabilitimi Gjithëpërfshirës dhe Kujdesi Shëndetësor”, si dhe përfshirjen në mesin e pesë iniciativave më të mira në EuroPris Prison Award me projektin “Art from Prison: Transforming Incarceration into Opportunity”.

Nga ana e tij, Barbano e falënderoi Dibranin për bashkëpunimin profesional gjatë mandatit të tij, duke vlerësuar angazhimin në përparimin e institucioneve korrektuese të Kosovës.

Ai theksoi se rezultatet e arritura janë dëshmi e një partneriteti të qëndrueshëm, të bazuar në besim të ndërsjellë dhe përkushtim për forcimin e sundimit të ligjit dhe standardeve evropiane.

Në fund të takimit u theksua se bashkëpunimi me EULEX-in dhe partnerët ndërkombëtarë ka ndikuar në ngritjen profesionale të sistemit korrektues, duke e bërë atë më efikas dhe më të qëndrueshëm./teve1.info./

Të Ngjashme