Vetëm pak kohë pasi u rikthyen në shtëpinë e tyre në Zveçan dhe filluan punimet që ta bëjnë të banueshme pas 28 vitesh largimi të detyruar gjatë luftës, familja Berisha thotë se objekti u bë cak i një sulmi të dyshuar me zjarr.
Lajmin e ka bërë të ditur Zana Berisha përmes një postimi në platformën TikTok.
“Mbrëmën e kaluar kanë tentuar me na djeg komplet shtëpinë. Fatmirësisht, një pjesë e madhe e shtëpisë ka shpëtuar. Krejt kjo si pasojë se ne nuk jemi 24 orë këtu. Kjo nuk do të thotë kurrgjë për ne si familje. Përkundrazi, vetëm sa e forcon bindjen tonë se jemi në rrugën e drejtë. Jemi të lirë, kemi përkrahjen e institucioneve të shtetit tonë dhe do të vazhdojmë. Kjo nuk do të thotë se do të tërhiqemi. Do të kthehemi edhe më të fuqishëm se më parë. Shtëpia jonë do të renovohet. Është një ndjenjë shumë e keqe dhe një emocion negativ që sot në mëngjes u zgjuam me një lajm të tillë, por kjo nuk ka për të na ndalur”, ka deklaruar Berisha.
Familja Berisha ishte rikthyer në shtëpinë e vet në Zveçan në qershorin e sivjemë, pas largimit të detyruar gjatë luftës në Kosovë. Pas kthimit, ata kishin nisur restaurimin e objektit, me synimin për ta bërë sërish të banueshëm.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për rastin e zjarrit në shtëpinë e familjes Berisha në Zveçan.
Rasti është hapur si “Zjarrvënie”, ndërsa deri tani nuk ka persona të dyshuar.
Shefi i Planifikimit në kuadër të Operativës Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Erduan Baliqi, ka thënë për KosovaPress se policia është njoftuar rreth orës 00:10 nga një banor i lagjes për një shtëpi që ishte duke u djegur.
“Pas mesnatës, rreth orës 00:10, kemi marrë një informacion nga një banor i asaj lagjeje se një shtëpi është duke u djegur. Shtëpia ka qenë e pabanueshme, nuk ka pasur banorë në të. Në vendin e ngjarjes menjëherë i është përgjigjur policia, po ashtu edhe zjarrfikësit, të cilët e kanë lokalizuar zjarrin. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante dhe, në konsultim me prokurorin kujdestar, rasti është hapur ‘Zjarrvënie’. Për momentin nuk kemi ndonjë të dyshuar, mirëpo janë duke u zhvilluar hetimet në lidhje me këtë çështje”, ka deklaruar Baliqi.
