Qytetarët janë rikthyer edhe këtë të martë para godinës së Kryeministrisë, në ditën e 17-të të protestës që nisi si kundërshtim ndaj projektit të Jared Kushnerit në Zvërnec dhe Sazan, por që tashmë është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe gjithë kastës politike.
Me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për shitjen e pasurive publike dhe braktisjen e interesave të qytetarëve.
“Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëria në re” ishin disa nga thirrjet që dominuan tubimin e sotëm.
Ndryshe nga ditët e para, kur fokusi ishte kryesisht te projekti i investimit në Zvërnec dhe Sazan, protesta po merr gjithnjë e më shumë karakter politik dhe qytetar, duke artikuluar pakënaqësi për korrupsionin, emigracionin, gjendjen ekonomike dhe mungesën e besimit te klasa politike.
Një nga fjalimet më të forta të protestës u mbajt nga profesori Lush Susaj, i cili e vuri theksin te gjendja e arsimit dhe largimi masiv i të rinjve nga vendi.
“Sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për qytetarë të përgjegjshëm. Studentët janë pjesa më delikate dhe e masakruar në 35 vjet. S’ka vend në botë që i ka masakruar shkollat dhe universitetet si Shqipëria”, deklaroi Susaj nga podiumi i protestës.
Profesori tha se kriza më e madhe e vendit po reflektohet te brezi i ri, duke sjellë si shembull edhe përvojën e tij personale.
“Ju flet një njeri që fëmijën e tij e ka arsimuar në Shqipëri dhe e ndien çdo ditë dhimbjen se do të ikë jashtë. Është koha të reagojmë për brezin e ri dhe mos të mashtrohemi më si më 1992”, u shpreh ai.
Protesta para Kryeministrisë vijon prej më shumë se dy javësh dhe organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vazhdojnë derisa të tërhiqen projektet e kundërshtuara dhe të dëgjohen kërkesat e qytetarëve.
Ndërkohë, pjesëmarrja dhe mesazhet e artikuluara në podium po tregojnë se lëvizja po largohet gjithnjë e më shumë nga një kauzë e vetme mjedisore dhe po shndërrohet në një revoltë më të gjerë kundër mënyrës së qeverisjes dhe elitës politike në vend.
