Lajme

Dita e parë e shkollës, nxënësit do njihen me rregullat e reja, ja çfarë ndalohet

Viti i ri shkollor do të nisë më 14 shtator me disa ndryshime. Ministria e Arsimit ka miratuar udhëzuesin, ku i jepet një fokus i veçantë ditës së parë në institucionet arsimore, jo për mësim, por do të shërbejë për orientimin e nxënësve me rregulloren dhe normat e sjelljes.

Në çdo klasë, nxënësit do të njihen me rregullat e sigurisë, kodin e veshjes në shkollë, ndalimin e përdorimit të telefonit celular, moslejimin e ushqimeve të pashëndetshme, respektimin e njëri-tjetrit dhe bashkëjetesës në komunitetin shkollor.

“Informimi dhe orientimi i nxënësve realizohet nga të gjithë anëtarët e stafit të institucionit arsimor, përfshirë mësuesit e të gjitha lëndëve, mësuesit kujdestarë, shërbimin psiko-social, oficerët e sigurisë dhe punonjësit e tjerë të institucionit. Çdo anëtar i stafit kontribuon në përforcimin e njohjes, kuptimit dhe zbatimit të rregullave nga nxënësit”, thuhet në udhëzues.

Në udhëzim është shtuar edhe një nen i ri për vlerësimin dhe menaxhimin e riskut në shkolla. Zyrat vendore arsimore kanë për detyrë të caktojnë koordinatorët e riskut dhe të hartojnë regjistrat e riskut, ku do të klasifikohen shkollat sipas shkallëve të rrezikut.

Vlerësimi do të bëhet përmes dëshmive, anketave, si dhe vëzhgimeve fizikisht për çdo institucion. Më tej, drejtuesit e shkollave duhet të marrin masa për reduktimin dhe eliminimin e risqeve dhe të koordinohen me bashkinë, policinë dhe shërbimet shëndetësore për risqet jashtë kompetencës së shkollave.

Me prioritet edhe këtë vit, në udhëzim vlerësohet parandalimi i dhunës, bullizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ku theksohet si element i ri i shkruar vendosja e një bashkëpunimi të ngushtë mes stafit, komunitetit dhe prindërve./Top Channel

Të Ngjashme