Lajme

Dita e Sigurisë në Punë – Sa po respektohen masat në ndërtimtari?

Punën po e bën si zakonisht.

Por në kokë do duhej ta vendoste një helmetë mbrojtëse.

Mirëpo, në vend të saj, ky punëtor po mban një kapele të thjeshtë.

Kësisoj po kryhej puna këtë të martë në një ndërtesë në Prishtinë, anipse Ligji e thotë ndryshe.

Pikërisht për këtë të fundit, Inspektorati Qendror i Punës ka nisur një sërë aksionesh, pas rasteve të fundit me fatalitet në ndërtimtari.

Nga IQP pranojnë se ka raste që punëtorët zgjedhin vetë të mos mbajnë helmetën mbrojtëse.

“Unë nuk e përjashtoj që ka pasur raste të tilla sepse këto janë edhe publike, por po them prapë këto janë detaje që mund t’i shihni, që janë me kërkesën tuaj, janë të qasshme”, ka thënë Jashari.

Numri i inspektorëve konsiderohet të jetë i mjaftueshëm.

Megjithëse, një konkurs mund të hapet shumë shpejt.

“Kemi absolutisht mjaftueshëm për këtë aksion dhe ne kemi thënë që jemi në 90% të kapaciteteve tona që po e zbatojmë këtë aksion…Por jemi në proces, besoj në një kohë sa më të shkurtër, në një të ardhme të afërt, të shpallet konkursi edhe për një numër rreth 40 ose 50 inspektorë për ta plotësuar në tërësi mandatin ligjor”, u shoreh tutje Jashari.

Që rastet me fatalitet të jenë të pakta, ka nisur edhe realizimi i një projekti.

“…në tubimet që do i kemi ne si Sindikatë, në çdo grupim të jetë së paku një inspektor dhe inspektori së bashku me dy eventualisht tre sindikalistë tonë do të shkojnë, do të vizitojnë në shumicën e atyre kompanive ku shihen se janë më të rrezikuar…duhet të zgjat ky projekt së paku një vit që së paku po themi që nëse mundemi që deri 60-70% ta ulim këtë numër të vdekjeve në vendin e punës”, ka thënë Azemi.

Nga fillimi i këtij viti e deri më tani, në vende pune janë shënuar 9 raste të vdekjes.

Gjersa këtë të martë, u shënua Dita e Sigurisë dhe Shëndetit në punë.

 

 

 

Të Ngjashme