Lajme

Dita Ndërkombëtare e Mamive – Rrëfimi i mamive të QKUK-së

Ka 27 vite që bënë punën si mami.

Por, këtë të martë për të dhe mamitë e tjera ishte një ditë më e veçantë, pasi u shënua Dita Ndërkombëatare e tyre.

Qamile Zeqiraj, e cila punon në QKUK që nga viti 1999, thotë se kënaqësinë në këtë profesion e merr nga kujdesi për nënat dhe foshnjat.

“Po kur nënave ju jep mbështetje emocionale, ju tregon afërsi, ju jep një qasje pozitive, ato gjithmonë të falënderojnë, se në ato momente e kanë personin më të afërt ty, personin që e jep shërbimin, dhe ndihen shumë komot dhe rahat, dhe gjithmonë janë falënderuese”, ka thënë Zeqiraj.

Këtë kujdes e ndjeu edhe kjo nënë që sot solli në jetë fëmijën e saj.

“Prej ditës së parë ku jam pranu këtu në klinikë kom kalu ekstrem mirë si nga ana e repartit ku kam qenë e shtrirë për një javë si nga ana sot. I falenderoj mamit, doktoreshat”, u shpreh një paciente.

Falënderime të tilla, Zeqiraj tregon se pranojnë shpesh. Kjo ndodhë edhe për shkak të mbështetjes emocionale që mamitë u ofrojnë nënave shtatzëna.

“Qysh të ka thonë mjeku, gjinekologu? Jo, më ka thonë që mundesh me lind normal, po unë po frikohem. I thashë: hajde po e provojmë, unë kam me të qëndru afër… Lindja shkoi shumë mirë edhe në fund tha: unë me ditë kështu, asnjëherë s’e kisha bart stresin. Tash, një vit, kam me ardh prap”, ka thënë tutje Zeqiraj.

Por, ky profesion në QKUK dhe në spitalet e tjera gjithandej vendit, përballet edhe me sfida.

“Në klinikën tonë, mamitë punojnë me përkushtim të jashtëzakonshëm, shpesh në kushte sfiduese. Kur them në kushte sfiduese, nënkuptoj që volumi i punës është mjaft i madh, ndërsa personel, staf ka më pak, duke marrë parasysh që 50% e stafit janë të moshës 50 e lart”, përfundoj Zeqiraj.

Dita Ndërkombëtare e Mamive festohet tradicionalisht më 5 maj, një traditë që daton që nga viti 1991  duke nderuar rolin thelbësor të tyre në kujdesin për nënat dhe foshnjat

Të Ngjashme