Banorët e qytetit Thompson, në shtetin amerikan të Connecticut, janë përballur me një pamje të pazakontë, pasi një emu i madh është parë duke vrapuar i lirë në rrugët e zonës. Zogu, i cili mund të arrijë një lartësi prej afro dy metrash, është konstatuar në afërsi të Thompson Hill Road dhe Pasay Road.
Ngjarja është raportuar më 4 nëntor, rreth orës 10:30 të paradites, pasi shërbimi i kontrollit të kafshëve mori njoftim për praninë e zogut në rrugë. Punonjësit nisën ta ndiqnin, ndërsa emu vazhdoi të vraponte përmes zonës së banuar, derisa përfundoi në oborrin e një shtëpie.
Autoritetet arritën ta kapnin pa e dëmtuar kafshën. Sipas njoftimit të qytetit, emu ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe po mbahej nën kujdes, ndërsa autoritetet nuk kishin arritur menjëherë të identifikonin pronarin e tij.
Për këtë arsye, banorëve iu kërkua të kontaktonin shërbimet lokale nëse kishin informacion për origjinën e zogut. Rasti u bë objekt raportimi në mediat amerikane për shkak të pamjes së pazakontë të një zogu kaq të madh duke vrapuar në mes të një zone të banuar.
