Lajme

“Do të ther njerëz dhe do të hy live në Tiktok”, 16-vjeçari nga Ferizaj kërcënon për terrorizëm

Inskenimet e vrasjeve e paralajmërimet se do të kryejë therje masive në sheshin e qytetit të Ferizajt, ishin përmbajtja e postimeve të vazhdueshme, që një 16-vjeçar i postonte në rrjetin social TikTok e në kanalin e tij në Youtube.

I riu dyshohet se më 3 prill të këtij viti, derisa ishte në transmetim të drejtpërdrejt në rrjetin social TikTok, ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij, i cili vuan nga çrregullimet mendore. Gjatë transmetimit, 16-vjeçari shfaqej me një maskë të vendosur në fytyrë, derisa e godiste me grushte dhe shqelma babanë e tij, 58-vjeçar.

Derisa ishte drejtpërdrejt, ai deklaroi se po i mban peng disa anëtarë të familjes dhe se po i terrorizon edhe ata.

Pas këtij rasti, 16-vjeçari përfundoi në prangat e Policisë së Kosovës. Nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, përmes e-mailit, i thanë Kiksit se ky institucion ka ngritur kallëzim penal ndaj të miturit. Në përgjigjen e Policisë bëhet e ditur se i mituri, fillimisht ishte dërguar për trajtim në Psikiatri e më pas i ishte caktuar masa e paraburgimit.

Në këtë rast, sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i mituri dyshohet për kryerjen e katër veprave të ndryshme penale, për çka Prokurori ka kërkuar që atij t’i caktohet masa e paraburgimit në Psikiatri. Ndërkaq, në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Ferizaj bëhet e ditur se i mituri gjendet nën masën e paraburgimit, derisa kjo gjykatë pohon se nuk ka pranuar ende rezultatin e ekzaminimit psikiatrik të 16-vjeçarit.

Rasti i rrahjes së babait, nuk është rasti i vetëm ku 16-vjeçari ka shfaqur dhunë e fantazi për vrasje në rrjetet e tij sociale. Në llogarinë e tij në Tiktok ai kishte paralajmëruar se do të ther masivisht njerëz dhe do të burgoset përjetësisht.

Në një video tjetër, ai shihet teksa inskenon vrasjen e nënës së tij dhe e detyron atë që të rrëzohet përtokë kinse ka vdekur. E më pas e incizon gjoja se trupin e saj të pajetë të shtrirë në tokë.

16-vjeçari ka postuar edhe një video në të cilin bën sikur ka kurdisur një bombë e cila do e vret atë dhe nënën e tij, e cila po ashtu është pjesë e videove dhe e lut të birin që të mos e frikësojë.

Në mesin e “viktimave” të tij të maltretimit janë edhe kafshët, qentë e shtëpisë të cilët shihet duke i keqtrajtuar.

Ndërkaq, në njërën nga videot e publikuara në kanalin e tij në Youtube, i mituri shihet duke marrë një ilaç nuk dihet se çka është, por që ai i referohet me emrat “pushim” dhe “ndihmë”. Në të gjitha videot e publikuar në llogaritë dhe kanalet e tij në rrjete sociale, ferizajasi flet dhe shkruar në gjuhën angleze.

Të Ngjashme