Kuriozitete

Protesta e 26-të e studentëve, thirrje për dorëheqje para Ministrisë së Arsimit, refuzohet sërish PD-ja

Me pankarta në duar dhe thirrjet “Dorëheqje” dhe “Poshtë diktatura”, studentët vijojnë protestën përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Deri më tani, protesta po zhvillohet e qetë, pas disa momenteve të tensionit të regjistruara më herët, kur studentët kundërshtuan bashkimin e protestuesve të Partisë Demokratike në tubimin e tyre.

Ditën e sotme në kryeqytet janë zhvilluar dy protesta të ndara, njëra e organizuar nga studentët dhe tjetra nga Partia Demokratike.

Protestuesit e PD-së e nisën tubimin përpara Kryeministrisë dhe më pas marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, me synimin për t’iu bashkuar studentëve. Megjithatë, këta të fundit e kundërshtuan një veprim të tillë dhe kërkuan largimin e grupimit demokrat, duke theksuar se protesta e tyre është e pavarur dhe nuk dëshirojnë përfshirjen e përfaqësuesve politikë.

Përplasjet verbale dhe tensionet zgjatën për disa minuta, por më pas situata u qetësua dhe studentët vijuan tubimin e tyre.

Kjo është protesta e 26 e studentëve, ndërsa edhe më parë ata kanë refuzuar eksponentë të politikës që t’i bashkohen.

Të Ngjashme