Lajme

Dogana me aktivitet ndërgjegjësues për mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale

Dogana e Kosovës, Agjencia për Pronësi Industriale dhe Zyra për të Drejtat e Autorit kanë organizuar një aktivitet për të informuar të rinjtë dhe qytetarët për rëndësinë e mbrojtjes së pronësisë intelektuale dhe pasojat e produkteve të falsifikuara.

Aktiviteti kishte për qëllim promovimin e njohurive mbi Pronësinë Intelektuale, respektimin e krijimtarisë, inovacionit dhe të drejtave të autorëve dhe pronarëve të markave.

“Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit patën mundësi të informohen më nga afër për rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve në mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale, si dhe për mënyrat se si secili qytetar mund të kontribuojë në respektimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

Në kuadër të aktivitetit u ekspozuan edhe mostra të mallrave të falsifikuara të konfiskuara nga Dogana e Kosovës.

“Në kuadër të aktivitetit u ekspozuan edhe mostra të mallrave të falsifikuara të konfiskuara nga Dogana e Kosovës, me qëllim të ndërgjegjësimit të pjesëmarrësve për fenomenin e falsifikimit, mënyrat e identifikimit të produkteve të falsifikuara dhe rëndësinë e konsumimit të produkteve origjinale”, thuhet në njoftim.

Përfaqësuesit e institucioneve përcollën mesazhe ndërgjegjësuese për rëndësinë e edukimit të të rinjve dhe krijimit të një kulture të respektimit të punës krijuese, inovacionit dhe produkteve origjinale.

“Aktivitete të tilla synojnë të forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe të kontribuojnë në rritjen e vetëdijes së publikut, veçanërisht të të rinjve, për rëndësinë e mbrojtjes së Pronësisë Intelektuale dhe luftimit të falsifikimit”, thuhet tutje.

Agjencia për Pronësi Industriale dhe Zyra për të Drejtat e Autorit kanë bërë të ditur se mbeten të përkushtuara në vazhdimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese për forcimin e mbrojtjes së të Drejtave të Pronësisë Intelektuale dhe informimin e qytetarëve.

Të Ngjashme