Lajme

Dogana ndalon futjen e mbi 18 mijë eurove të padeklaruara në Kosovë

Dogana e Kosovës ka parandaluar futjen e mjeteve monetare të padeklaruara në territorin e Kosovës, gjatë një kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë.

Rasti është evidentuar më 18 gusht 2026, kur zyrtarët doganorë, gjatë zbatimit të procedurave të kontrollit, kanë zbuluar mjete monetare të fshehura dhe të padeklaruara.

Sipas Doganës, gjatë kontrollit janë gjetur 12,570 euro dhe 5,900 franga zvicerane, me një kundërvlerë të përgjithshme prej 18,841.74 euro.

Mjetet monetare janë ndaluar dhe evidentuar sipas procedurave përkatëse, ndërsa rasti është iniciuar për trajtim të mëtejmë nga njësitë kompetente të Doganës së Kosovës.

Dogana rikujton qytetarët se çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës është i obliguar të deklarojë mjetet monetare, instrumentet e negociueshme, si dhe metalet dhe gurët e çmuar, kur vlera e tyre arrin ose tejkalon shumën prej 10 mijë eurosh.

Të Ngjashme