Lajme

Ligji për Specialen mund t’i kushtojë Kosovës me masa nga BE

Unitet Berisha 

Diku rreth 12 orë, të premten, zgjati seanca e Kuvendit të Kosovës.

Por, në momentin kur erdhi koha që të kalohej te ky hap për ligjin për Specialen, nuk pati kuorum, andaj edhe seanca u ndërpre.

Mbetet të ketë një diskutim mes shefave të grupeve parlamentare për të parë se kur do të ketë seancë të re.

Megjithatë, duket se të zgjedhurve të popullit, “frikën” për këtë ligj që të votohet në Kuvend, ua solli faktori ndërkombëtar.

“Natyrisht se do të ketë masa, sepse i kanë paralajmëruar. Gabimi është që nuk kemi marrë hapa për të lobuar te secili shtet që është sponsorizues i gjykatës”, tha analisti Jeton Kelmendi.

Sipas Kelmendit, problem mbetet interesimi i vetë deputetëve për të ditur se çka sjell ligji, megjithatë ajo çka ndodh është vetëm pritja e urdhrit nga lart

“Në Kuvend shumica e deputetëve nuk e dinë për çfarë votojnë, gjithçka lidhet me urdhrin nga lart i partisë, kur vjen ai, atëherë votohet”, theksoi Kelmendi.

Ndërkaq, njohësit e sistemit të drejtësisë thonë se duhet të ketë disa ndërhyrje në ligjin aktual, pasi duhet të jetë në harmonizim të plotë me kushtetutën.

“Nevoja dhe domosdoshmëria është që të bëhen disa ndërhyrje, ashtu që të jetë në harmoni me të gjitha amendamentet përkatëse kushtetuese, dhe mendoj që subjektet politike duhet të angazhohen në një proces të mirëfilltë konsultimi”, deklaroi Ardian Bajraktari.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila e propozoi si ligjin, ashtu edhe kthimin në Kuvend nga presidentja, është zotuar se ndryshimet në të do të miratohen brenda dy javësh. Kështu, nëse të paktën 61 deputetë votojnë pro, vetoja e presidentes rrëzohet dhe ligji konsiderohet i shpallur.

Të Ngjashme